Përfundoi në Korçë festa e birrës, e cila zhvillohet për vite me radhë në këtë qytet, por këtë herë pa shkëlqim dhe me një ndryshim të madh.

Në festën e qytetit ku lindi Birra Korça, birra e parë shqiptare, një ndër investimet më të mëdha në qytet, si në infrastrukture ashtu edhe në teknologji, e cila i ka dhënë emër Korçës dhe ka qenë bashkëorganizuese e festës së përvitshme të birrës, mungonte në këtë festë për herë të parë në 16 vite

Bashkia nuk iu dha përgjigje pyetjeve, pakënaqësive e vërejtjeve të qytetarëve për këtë fakt. Qytetarët e akuzonin bashkinë se e ka kthyer këtë festë thjesht në propagandë, madje bënin thirrje për bojkot, pasi siç thonin, festa e birrës pa birrën Korça është si dasma pa nuse.

Mungesa e birrës Korça u reflektua në pjesëmarrjen e ulët të njerëzve në të gjitha netët e festës. Bujtinat korçare si rrallë herë në këto ditë gushti nuk kishin kërkesat e zakonshme dhe tavolinat në zonat e përcaktuara për festën e birrës nuk kishin gjallërinë e përvitshme.

Në festë mungonin këngëtarët korçarë, pa të cilët festa nuk kishte bukurinë e zakonshme. Vitet e fundit bashkia e ka thyer këtë traditë duke ftuar këngëtarë serbë dhe grekë me shpenzime të mëdha nga paratë e taksapaguesve Korçarë për të cilat nuk është bërë asnjëherë transparencë.  Ironia është se pasi ftohen këngëtarë nga Serbia e Greqia, qytetarët pjesëmarrës në festë duhet të paguajnë për ta edhe bileta të shtrenjta, ç’ka nuk ndodh në festat e birrës që zhvillohen në Europë.

Diçka tjetër që nuk kishte ndodhur kurrë më parë, ndodhi këtë vit në festën e birrës. Bashkia vendosi që një pjesë e tavolinave për të marrë pjesë, të ishin të rezervuara. Ajo që lindi si një festë për të gjithë, këtë vit nuk ishte më e të gjithëve. Njerëzit që nuk kishin mundësi të paguanin për të rezervuar, duhet të qëndronin në tryezat që bashkia kishte vendosur për ta.

Por atë atmosferë që nuk e ofroi dot festa e birrës e organizuar nga Bashkia e gjeje në shtëpinë e Birrës, aty ku prodhohet dhe konsumohet e freskët birra Korça. Të shkosh në Korçë e të mos shijosh birrën Korça nuk ka kuptim, ndaj turistët që kishin shkuar aty për këtë qëllim, e gjetën kënaqësinë e vetëm në shtëpinë e birrës.

Edhe korçarët zgjedhin shtëpinë e Birrës për të kaluar mbrëmje të bukura me të afërmit dhe miqtë e tyre, duke shijuar birra Korça dhe muzikë të bukur.

Mungesa e birrës së parë shqiptare, e birrës tradicionale të Korçës dhe jo vetëm, ia hoqi festës shkëlqimin e përvitshëm. Nga një festë që prej vitesh ishte kthyer në kombëtare madje edhe ndërkombëtare, sivjet fatkeqësisht ajo përfundoi në një festë lokale, e bojkotuar edhe nga vetë korçarët.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: