Pas regjistrimit të dy shpërthimeve në veri të Kosovës, forca të shumta policia janë përqendruar në urën mbi Ibër. Mediat e Kosovës bëjnë me dije se një objekt ku Komisioni Komunal i Zgjedhjeve në Mitrovicën e Veriut po punonte është djegur tërësisht.

Incidente ka pasur edhe në Zubin Potok. Sipas “KoSSev”, disa qytetarë serbë janë mbledhur para objektit të komunës dhe kanë penguar disa zyrtarë të komisioneve komunale zgjedhore që të futen brenda objektit. Sakaq, gazetarja e T7, tha se në afërsi të objektit ku kishin synuar të destinuar për anëtarët e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në Mitrovicën e Veriut, nuk ka policë.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

“Fatmirësisht rrugët janë boshatisur dhe s’ka pasur njerëz”, tha gazetarja në një lidhje direkte në Frontal të T7. Nga ana tjetër Policia e Kosovës Policia e Kosovës përmes një komunikate për media ka dhënë sqarime lidhur me situatën në veri të Republikës së Kosovës.

Nga Policia e Kosovës kanë treguar se sot më datë 6 dhjetor 2022, në komunat Zubin Potok dhe Mitrovicë Veri, njësitë policore të rendit publik kanë shoqëruar zyrtarët e Komisionit Komunal zgjedhor në zyrat e komisionit komunal zgjedhor, të cilat ndodhen në komunat Zubin Potok e Mitrovicë Veri me qellim të kryerjes së detyrave dhe kompetencave të tyre ligjore.

Njoftimi i plotë:

Policia e Kosovës, sipas detyrës zyrtare dhe autorizimeve ligjore, në vazhdimësi po angazhohet në ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike si dhe ndërmarrjen e masave policore komfor situatës dhe zhvillimeve në gjithë vendin, përfshirë zhvillimet në Veri të Mitrovicës.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), bazuar në Kushtetutën dhe ligjet e vendit, duke u bazuar edhe në bashkëpunimin ndërinstitucional i ka bërë kërkesë Policisë së Kosovës për asistencë rreth përgatitjeve për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në komunat në veri të vendit.

Me këtë rast, Policia e Kosovës njofton opinionin publik në lidhje me zhvillimet e sigurisë në veri të vendit se, sot më datë 6 dhjetor 2022, në komunat Zubin Potok dhe Mitrovicë Veri, Njësitë policore të rendit publik kanë shoqëruar zyrtarët e Komisionit Komunal zgjedhor në zyrat e komisionit komunal zgjedhor, të cilat ndodhen në komunat Zubin Potok e Mitrovicë Veri me qellim të kryerjes së detyrave dhe kompetencave të tyre ligjore.

Në orët e para të pasdites së sotme, në disa zona të Zubin Potok-ut dhe Mitrovicës Veri janë regjistruar disa incidente (dyshohet shkrepje armësh e shpërthime), por deri në këto momente nuk janë raportuar lëndime nga këto incidente, përderisa raportohet se protestuesit kanë demoluar zyrat e komisionit komunal zgjedhor.

Policia e Kosovës në vazhdimësi përcjellë dhe vlerëson situatën e sigurisë në vend dhe ndërmerr masa të nevojshme për zbatimin e ligjit dhe vendimeve të autoriteteve shtetërore të Kosovës.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb