Nga Brikena Metaj

Ishte vetëm 19 vjeç, kur përfundoi në birucat e kohës së diktaturës komuniste të Enver Hoxhës. Për 12 vjet, ka përjetuar ferrin në Burgun e Spaçit, duke u përballur me vuajtjen, torturat, urinë, gënjeshtrën dhe mashtrimin. Ka qarë në heshtje kur, ia kanë vrarë shokët para syve. Dhe pas shumë vitesh, në kohën kur sistemi i egër diktatorial u përmbys, është rikthyer sërish në qelitë e burgut, duke veshur uniformën që, ai e urrente aq shumë, atë të policit. Për afro 20 vjet të tjera (deri në vitin 2013), ka punuar si gardian në Burgun e Bënçës.

Bëhet fjalë për 70-vjeçarin Neim Pashaj, nga Tepelena, i cili shprehet se u dënua në vitin 1966, vetëm për një fjalë goje, me akuzën: “Agjitacion e propagandë dhe tentativë arratisje”. Në këtë intervistë, Pashaj, tregon tmerret që ka përjetuar në Burgun e Spaçit. Ai thotë se, i ka lënë gjurmë të pashlyera në kujtesë, vrasja e shokut të tij, Naum Kondakçi, në Kampin e Laçit, ku të burgosurit ndërtonin Uzinën e Superfosfatit. Ndërsa, tregon me detaje se si nisi revolta në burgun e Spaçit dhe si e ngriti flamurin me shqiponjën e vizatuar nga një i burgosur, por pa yllin e kuq komunist me pesë cepa. Gjithashtu, ish-i burgosuri politik, Neim Pashaj, deklaron se, për shumë vite i ka urryer policët, ndërsa arriti të kuptonte rolin e Policisë e, tani ndihet me të vërtetë polic.

Neim Pashaj 2
Neim Pashaj 2

Zoti Pashaj, kur ke rënë në burg për herë të parë dhe cila ishte arsyeja?
Isha vetëm 19 vjeç, kur kam rënë në burg për herë të parë, më 4 qershor të vitit 1966. Arsyeja e burgosjes, ishte një bisedë me dajat e mi, për t’u arratisur në Greqi.

E ndërsa vërtet isha përgatitur shpirtërisht për këtë hap, njëri prej dajave të mi, mori vetëm njërin vëlla dhe u arratis. Mua m’u duk si prerje në besë. Në gjyq u tha se, grupi që do të arratisej, ishte në ndjekje.

Si ishte për ty të qenët në burg, në një moshë aq të re?
Kisha dëgjuar për burgun më parë edhe nga daja im. Edhe babai më këshillonte shpesh, të tregohesha i kujdesshëm, sidomos nëse shoqërohesha me dajën, që dikur ishte arratisur, sepse ai ishte përherë në ndjekje. Për një fjalë goje, jam dënuar me 12 vjet burg. Nuk e dija që daja kishte ikur.

Në atë kohë, ai punonte në Delvinë, ndërsa unë isha në Memaliaj, në minierë. Më arrestuan duke më thënë se unë kisha dijeni për arratisjen e tij.

Më kanë torturuar shumë, dhe për një të ri në atë moshë, që është mosha e ëndrrave të bukura, kjo ishte shumë e rëndë. Në burg gjeta njerëz me botë të madhe, që kishin përfunduar studimet jashtë shtetit.

Për mua ata ishin mësuesit e parë që më futën në botën e politikës, e cila deri atëherë ishte e panjohur për mua. Kam mësuar shumë prej tyre. Mësova të vërtetën e madhe se çfarë ishte ai sistem dhe çfarë thuhej për të. Në burg njoha vuajtjen, mashtrimin, gënjeshtrën, urinë.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Ka pasur ndonjë ngjarje që ka lënë gjurmë në jetën tënde?
Kam parë tmerre të vërteta. Thuhet se vetëvrasja është e dënueshme, por ky akt kërkon edhe një forcë shumë të madhe. Raste të tilla kishte shumë, dhe të gjitha ishin të dhimbshme. Sidomos kur bëhej fjalë për shokët, për të cilët edhe kam qarë. Një nga këta ka qenë Naum Kondakçi, të cilin, në tentativë për t’u arratisur, e vranë.

E kishin sjellë natën dhe e kishin hedhur pikërisht në vendin ku ndanin gjellën, përpara fjetinës. Ishte një vend gati 10 m i gjatë me çimento ku nxirrnin kazanët. Unë e kisha shok. Ai ishte i ri, as 30 vjeç. Në mëngjes, kur dëgjova se kanë vrarë Naumin, nxitova për aty.

Ai mbante gjithmonë një peshqir në qafë. Ishte një ditë me shi e 6 dhjetorit të vitit 1961. E kishin plagosur në këmbë dhe ai e kishte lidhur me peshqir. Më pas predhat e kishin goditur në bark, ndërsa zorrët i kishin dalë jashtë. U tmerrova, megjithatë u afrova.

Ia zgjidha peshqirin nga këmba, i’a futa zorrët brenda dhe ia hodha peshqirin përsipër. Të burgosurit më rrethuan, ndërsa policët më rrahën për atë që bëra. Kjo është një ngjarje shumë e rëndë për kujtesën time. Me kalimin e viteve, ngjarje të tilla filluan të më dukeshin “normale”.

Ti ke qenë pjesë e revoltës së Spaçit. Cili ishte shkaku i saj?
Në ’73-in urrejtja, torturat e vazhdueshme bënë që zemërimi të rritej, ndaj dhe shpërtheu revolta. Shkaku i parë ka qenë një kosovar që rrinte në Shijak, Pal Zefi, i cili ishte dënuar bashkë me të vëllain.

Kam qenë i pranishëm rreth datës 20 shkurt, kur na nxorën në oborr dhe ai kish vënë në qafë një shall leshi të kuq, me vija të bardha. Roja e ktheu dhe i kërkoi ta hiqte, pasi veshjet civile nuk lejoheshin.

Ai kundërshtoi dhe e futën një muaj në birucë. Por, kur koha e daljes u plotësua, ata nuk po e nxirrnin. Pali shfrytëzoi momentin kur policët ndërroheshin dhe erdhi në kamp.

U dënua edhe dy muaj të tjerë, deri në 20 maj. Kur doli nga biruca, ai mori një levë, ndërsa u rrethua nga policët. Ky ka qenë momenti kur revolta shpërtheu.

Kryetari i Degës së Brendshme i asaj kohe, më kërkoi të punoja si polic. I shpjegova se nuk mund ta përballoja gërvishtjen e hekurit, atë zhurmë që e kisha dëgjuar për vite me radhë.

Po atëherë pse pranove të punoje si gardian burgu?
Pas disa kohësh, rashë në vështirësi ekonomike. Kisha krijuar familje dhe kisha mbetur pa zgjidhje. Miniera ishte mbyllur. Një ditë pashë vajzën time që po rrinte vetëm afër shkollës dhe e pyeta se, ku i kishte shoqet.

Ajo më tha se shoqet e saj kishin shkuar në një dyqan, ndërsa ajo nuk kishte përse shkonte, se nuk kishte lekë. U trishtova shumë, ndaj dhe vendosa të pranoja propozimin e dikurshëm. Kam punuar si gardian, për afro 20 vite, deri në vitin 2013.

Si ishte dita e parë e punës si gardian burgu?
Momenti më i vështirë ishte kur vesha uniformën, atë uniformë që për aq vite e kisha urryer, ndërsa tani detyrohesha ta vishja…!

Si ka qenë marrëdhënia jote me të burgosurit?
Nuk i kam qëlluar asnjëherë të burgosurit, sepse më kujtohej vetja, por arrita të bindesha për rolin e rëndësishëm që ka Policia, dhe sot ndihem – në kuptimin e plotë të fjalës – polic. /Memorie.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb