Ashtu siç edhe u paralajmërua më herët gjatë ditës, për një zhvillim pozitiv në marrëdhëniet Shqipëri-Greqi që ka të bëjë me heqjen e ligjit të luftës, Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, ka konfirmuar për Top Channel se pala greke ka rënë dakord për të formalizuar heqjen e këtij ligji.
“Ka një akord nga ana e palës greke për të formalizuar heqjen e ligjit të luftës”, tha kryediplomati shqiptar nga Athina ku ndodhet për një vizitë zyrtare dyditore.
Bushati tha se në tryezën e bisedimeve me homologun grek Kotzias kanë qenë problematike që ai i ndau në tri çështje.
“Kemi diskutuar për çështje të karakterit historik, si ai i ligjit të luftës, për të mbyllur kapitullin e Luftës së Dytë Botërore, nga aktualiteti për shqiptarët që jetojnë në Greqi dhe minoritetin grek në Shqipëri, por edhe për çështje që kanë ndikim të drejtpërdrejtë për të ardhmen tonë të përbashkët, si projektet energjitike e të tjera”, tha ministri.
Si emergjente, kryediplomati shqiptar vlerësoi heqjen e ligjit të luftës për të mbyllur kapitullin e Luftës së Dytë Botërore dhe për t’u përqendruar tek sfidat e përbashkëta që kanë dy vendet tona. /TCH/

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: