Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi ka reaguar pas operacionit shqiptaro-italian të zhvilluar sot, ku u sekuestruan mbi 4 milionë euro, ndërsa u lëshuan 43 urdhërarreste.

Çuçi shprehet se finalizimi i këtij operacioni ishte një tjetër sukses i bashkëpunimit të dy shteteve në luftën kundër krimit.

“Finalizimi i operacionit për goditjen e një grupi kriminal në fushën e narkotikëve që çoi në arrestimin dhe procedimin e dhjetëra personave brenda e jashtë vendit, është një tjetër sukses i punës së Skuadrave të Përbashkëta Hetimore Shqipëri-Itali. Një punë e kryer mirë e me profesionalizëm të lartë në çdo hallkë.

Vetëm në dy vitet e fundit policitë tona janë përfshirë në 52 Skuadra të Përbashkëta Hetimore, një numër rekord po ta krahasojmë me vendet e tjera europiane. Kjo dëshmon besimin e lartë që ka sot Policia e Shtetit në sytë e partnerëve ndërkombëtarë dhe vendosmërinë tonë për të goditur krimin.

Përgëzime për Policinë e Shtetit, veçanërisht për efektivët që morën pjesë në këtë operacion, SPAK, Policinë dhe Prokurorinë italiane”, deklaroi ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb