Nga: DARINA TANUSHI*
TIRANE – Kërkesa e deputetes socialiste, Mimoza Hafizi për shpalljen si të pavlefshëm të vendimit të kongresit për referendumin e 9 prillit nuk do të marrë përgjigje para kësaj date. Burime zyrtare nga PS sqaruan dje për “Gazeta Shqiptare” se Komisioni i ri i Garancive Statutore, i zgjedhur nga kongresi i 19 marsit, nuk do të mund të mblidhet para referendumit.

Po kështu, mandati i Komisionit të vjetër të Garancive ka përfunduar në kongres. Sipas këtyre burimeve, pritet të mblidhet Asambleja Kombëtare, e cila do të zgjedhë edhe sekretarin e ri organizativ të PS-së. Do të jetë ky sekretar, që do të thërrasë mbledhjen e parë të Komisionit të ri të Garancive Statutore si rregull. Kështu që sipas këtyre përcaktimeve në axhendën e PS-së, kërkesa e Hafizit duket se nuk do të pengojë zhvillimin e referendumit.

Një tjetër argument që jepet prej të njëjtave burime është se vendimet e kongresit nuk mund të kundërshtohen në asnjë rast. Deputetja socialiste, Mimoza Hafizi i kërkoi pak ditë më parë Komisionit të Garancive Statutore të shpallë të pavlefshëm votimin në kongres për zhvillimin e referendumit. Në një kërkesë zyrtare të firmosur nga vetë Hafizi, ajo kërkon interpretimin e statutit për nenet 45 dhe 72, që lidhen me referendumet në parti.

“Në rastin e vendimmarrjes së kongresit për zhvillimin e referendumit në PS më datë 09.04.2016, jo vetëm nuk pati ndonjë iniciues nga ata që parashikon statuti i PS, por edhe nuk pati asnjë akt, projektvendim konkret, mbi të cilën kongresi, delegatët e tij, të mund të diskutonin dhe të vendosin për miratimin ose jo të përmbajtjes së tij. Në vlerësimin tim, forma, rregullshmëria dhe ligjshmëria e procedurës që i paraprin një vendimmarrjeje të tillë dhe e akteve në të cilat formalizohet dhe konkretizohet ajo, është kusht i nevojshëm dhe i domosdoshëm për ushtrimin e të gjitha të drejtave të cituara më sipër të sanksionuara nga statuti, të drejta të cilat duhet t’i garantohen anëtarit të PS, delegat i kongresit”, shprehet Hafizi.

Ndaj, deputetja e PS kërkon “shqyrtimin e inicimit, formës, rregullshmërisë dhe ligjshmërisë së procedurës dhe akteve që i paraprinë vendimit të Kongresit të PS për zhvillimin e referendumit të datës 09.04.2016”. Hafizi kërkoi që kërkesa e saj të shqyrtohet nga Komisioni i Garancive para referendumit. Ishte vetë kryetari i PS-së, Edi Rama që e hapi temën e referendumit në fund të kongresit të 19 marsit. Pasi ishin votuar edhe ndryshimet në statut, për të cilat dy deputetët kritikë kanë sërish vërejtje, Rama kërkoi fjalën dhe tha se për shkak se kishte pasur një shqetësim për vijimin e mandatit të tij, ai i kërkonte kongresit të caktonte një datë për referendum. Po në kongres, deputeti Ben Blushi e kundërshtoi si të paligjshëm referendumin, por megjithëkëtë, kreu i Asamblesë Kombëtare, Gramoz Ruçi e bëri fakt të kryer duke caktuar edhe datën 9 prill për referendumin, ndërsa pyetja e saktë u publikua zyrtarisht pak ditë më vonë nga PS.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: