Edhe Pogradeci është përfshirë nga moti i keq me reshje shiu dhe erë të fortë aq sa pushuesit ditën e sotme nuk kanë mundur të bëjnë plazh.
Por duke qenë se moti i keq nuk do të zgjasë shumë pasi në fillimi të javës pritet një rritje e temperaturave pushuesit do të vazhdojnë të qëndrojnë në Pogradec për të shijuar pushimet e tyre.
Gazetarja Lorena Kodra raporton për BalkanWeb se era e fortë deri në këto momente nuk ka krijuar probleme në qytet apo në fshatra.
Në Pogradec gjatë gjithë muajit gusht ambientet akomoduese janë të rezervuara në masën 100%,.
Duket se çmimet e lira dhe shërbimi në qytetin Juglindor ka thithur mijëra turistë vendas dhe të huaj, të cilët kanë zgjedhur Pogradecin si vend për të kaluar pushimet.
Edhe në Korçë për shkak të motit të keq është anuluar një prej aktiviteteve tradicionale në fshatin Polenë siç është Festa e Lakrorit e cila do të organizohet fundjavën që vjen.
