Më 12 tetor do të mbahet seanca e parë gjyqësore për kryebashkiakun e Himarës, Fredi Beleri. Lajmi është bërë i ditur për BalkanWeb nga gazetarja Klodiana Lala. Mësohet se seanca do të mbahet në Gjykatën e Posaçme (GJKKO), në orën 09:00.
Beleri u arrestua dy ditë përpara zgjedhjeve vendore të 14 majit. Sipas prokurorisë, përgjimet e realizuara tregojnë se ai ka ofruar para në këmbim të votave në favor të tij. Zoti Beleri ka hedhur poshtë akuzat dhe ka folur për një akt me sfond politik. Kërkesat e tij të herëpashershme për ndryshimin e masës së sigurisë janë refuzuar nga të gjitha shkallët e gjyqësorit, të cilave ai u është drejtuar sërish me të njëjtën kërkesë.
Arrestimi i tij ka acaruar dukshëm marrëdhëniet mes Tiranës dhe Athinës. Kjo e fundit ka kërkuar lirimin e tij, me pretendimin se janë shkelur të drejtat e njeriut dhe ato të të pakicave, si dhe duke kërcënuar me bllokimin e rrugëtimit të Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin europian. Zyrtarët grekë po e ngrenë këtë çështje në instance të ndryshme ndërkombëtare.
Qeveria shqiptare është kundërpërgjigjur duke deklaruar më se një herë se kjo është një çështje e Drejtësisë e duke refuzuar kategorikisht çdo lloj ndërhyrjeje ndaj sistemit gjyqësor. Ndërsa kryeministri Rama, jo më larg se një ditë më parë tha se Shqipërisë askush nuk mund t’i japë leksione për trajtimin e minoriteteve
(BalkanWeb)
