Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurimit arrest në burg pa afat për Enea Sulejmanin, ndërsa për 3 të tjerët është vendosur arrest në burg me afat deri në 16 maj.
Gazetarja Klodiana Lala raporton për Balkanweb se në burg me afat janë lënë Shkëlqim Ostresi, Igli Begaj dhe efektivi i operacionales Ervis Shkurta. Enea Sulejmani nuk ishte i pranishëm në seancë, pasi po merr ndihmën mjekësore, por u përfaqësuar nga avokati i tij.
Përballë gjyqtarit të çështjes Shkëlqim Ostreni dhe Igli Begaj, gjatë seancës kanë kërkuar nga gjykata që të mos marrë parasysh dëshmitë paraprake, pasi janë dhënë pa praninë e avokatit dhe nën trysni. Ata kanë theksuar se nuk kanë lidhje me kokainën që ishte në makinën e Sulejmanit.
Po të njëjtat burime bëjn֝ë me dije se polici Ervis Shkurta ka mohuar përfshirjen në ngjarje, duke pretenduar se nuk është ai poseduesi i numrit britanik që kanë pretenduar të dyshuarit e tjerë.
Po ashtu ai ka kërkuar një masë më të butë sigurie, edhe për shkak të problemeve shëndetësore që ka i biri. Mbrojta ka kërkuar masë më të butë sigurie dhe po ashtu mohon faktin që ata të kenë pasur dijeni për drogën. Burime bëjnë me dije se nga raportet e vëzhgimit nuk del që të përmendet emri i policit Shkurta.
Ndërkohë, prokuroria ka kërkuar që t’i lërë në qeli, duke argumentuar se ka prova të mjaftueshme për të vërtetuar dyshimin e arsyeshëm. Gjatë hetimit dy mujor janë përdorur edhe metoda speciale të hetimit, si blerjet e stimuluara dhe përgjimet.
(Balkanweb)
