Nga Luan Rama

Altin Belbën, djalin tridhjetedyvjeçar nga Përrenjasi isha mësuar ta shihja pothuaj çdo mbrëmje në parkimin e një prej lokaleve në periferinë e kryeqytetit. Përshëndeteshim formalisht. Gjithmonë njësoj. Më shumë me sy se sa me fjalë. E mandej, ai vazhdonte punën e tij ashtu në heshtje, pa e ndarë kurrë telefonin nga dora.

Nuk ia dija emrin dhe as e kisha pyetur ndonjëhere se prej nga vinte. Por, nuk e di se pse ishim mësuar me njëri-tjetrin. Ose të paktën mua më dukej ashtu. Dhe sa herë që më duhej të shkoja në atë parkim, e dija që do ta gjeja aty. Të sjellshëm dhe gjithmonë të vetëm në heshtjen e tij.

Ndaj, kur nuk e pash më, më bëri përshtypje mungesa.

Fillimisht mendova se mund të ketë ndërruar orarin e punës. Ose mbase ka marrë disa ditë pushim e do të ketë shkuar tek prindërit, e justifikova me vete.

Por, ndodhi që Altini mungoi gjatë në vendtakimin tonë. Aq gjatë sa pothuaj mend u mësova me mungesën e tij.

-Mbase ka ikur gjetiu, në ndonjë vend të Europës, për të kërkuar një fat më të mirë, i thashë vetes teksa ditët iknin e Altini nuk dukej.

Rutina e përditshme i lë mënjanë shumë episode të jetës së njeriut. Rrjedha e saj bën te veten, të rrëmben e harrohesh në të.

E harrova edhe unë Altinin.

Por, mu kur nuk e prisja, ai m’u shfaq sërish në të njejtin vend. Njësoj i heshtur në mirësinë e tij të pazhurmë dhe me telefonin gjithmonë në dorë, pa ia ndarë sytë.

U përshëndetëm me mirësjellje. Dhe u gëzova që e pash sërish. Nuk doja ta humbisja rastin për ta njohur. Ndaj gjithë kërshëri e pyeta:

-Më fal, si e ke emrin?

-Altin, u përgjigj ai krejt indiferent.

-Nga je?, vazhdova unë.

-Nga Përrenjasi.

-Prindërit atje jetojnë? e pyeta më tej.

-Po.

Nuk e bezdisin pyetjet e mia. Përgjigjet e shkurtëra janë në natyrën e tij. Mbase, ngaqë mund ta kenë pyetur shumë njerëz e atij nuk i bën më përshtypje ky ritual.

-Ke munguar gjatë, nuk të kam parë në gjithë këto ditë, nga ke qenë? – pyeta me këmbëngulje.

-Isha në takim me vdekjen, më tha!

Shtanga. Nuk po dija se si ta vijoja më tej bisedën, edhe pse doja ta pyesja e të mësoja sa më shumë për të. E ndjeva që nuk po bënte shaka, por nuk po i gjeja fjalët e duhura.

Altini e kupton gjendjen time e si për të ma bërë më të lehtë vijoi:

-Pësova një hemoragji të rëndë. Më ndodh shpesh. Dhe shkoj në spital gjysmë i vdekur. Domethënë takohem me vdekjen dhe rikthehem sërish. Kam gjithë jetën kështu. Atje më japin gjak, përkujdesen. Më trajtojnë mirë. Por nuk më shërojnë dot.

Mbeta pa fjalë. Dhe po e vështroja si i mpirë.

Altini është diagnoztikuar me trombozë në venën portë. Mjekët thonë se ka lindur me këtë sëmundje. Që të shpëtojë ka nevojë për një ndërhyrje kirurgjikale. Por, në vendin tonë kjo është e pamundur! Kështu i kanë thënë.

Por, i kanë thënë e madje edhe e kanë rekomanduar të shkojë në Turqi. Ka shkuar disa herë se në Turqi e gjithkund tjetër në Europë është një ndërhyrje që realizohet me sukses. Por atje kushton. Duhen rreth tridhjetëmijë euro. Altini ato nuk i ka. Nuk i kanë aq para as prindërit e tij. Dhe në pamundësi të gjetjes së parave, ai shkon e vjen e prapë shkon, sa në Stamboll e këtu nëpër spitalet tona me shpresë se do të mund të gjejë një zgjidhje që të shpëtojë nga vdekja që i është vënë pas.

Vena portë (vena hepatike portale) është ndër venat kryesore të trupit të njeriut. Thënë thjeshtë e shqip, kjo venë, pra vena portë merr gjakun prej zorrëve dhe e çon në mëlçi.

Unë nuk e di se pse në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” është e pamundur të realizohet ndërhyrja në vënën portë. Ashtu siç nuk e kuptoj dot se përse për sistemin tonë shëndetësor është kaq e pavlerë jeta e njeriut. Dhe nuk dua ta besoj se mjekët tanë janë të paaftë ta bëjnë këtë nderhyrje. Por ama e di, dhe këtë e di shumë mirë: shteti e ka për detyrë t’ia shpëtojë jetën Altinit tridhjetedyvjeçar. Dhe jo vetëm Altinit padyshim!

Altini e meriton të jetojë. Fatkeqësisht ai ka lindur me këtë sëmundje, por, për sa kohë shkenca mjekësore ia ka dalë ta mundësojë ndërhyrjen në venën portë, Altini nuk duhet lënë të vdesë. Shteti e ka për detyrë t’ia mbrojë jetën.

Në qerthullin e zhurmërisë politike ku shpërfaqen gjithëfarëlloj oratorësh, të cilët flasin me patos për të na bindur në dashurinë e tyre për popullin, do të vazhdojmë të dëgjojmë sërish për inceneratorët e hajdutët e tyre, për koncensionet e SPAK-un, për komisionet hetimorë, për sterilizimin apo për grupimin “5D” dhe gjithëfarëlloj tenderash. Do të vazhdojmë të dëgjojmë të flasin edhe për integrimin europian, për sigurinë kibernetike apo edhe për një reportazh të transmetuar në Rai 3. Do të flasin edhe për opozitarët që grumbullohen në “Rrugën e Shpresës” e dëgjojnë Doktorin të mbajë fjalime nga ballkoni i shtëpisë ku e kanë ndryrë me vendim gjykate apo edhe për deklaratën e Presidentit të Republikës në panairin ndërkombëtar “Ditët e Bujqësisë 2024” se ndjehet krenar që produktet “Made in Albania” gjenden në tryezat anembanë botës. (O zot çfarë ironie!)

Po për Altin Belbën, tridhjetedyvjeçarin nga Përrenjasi që takohet me vdekjen dhe lufton për jetën, nuk do të dëgjojmë të flasë ndokush!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb