NGA: OLA MITRE*
Sistemi i pikëzimit për përcaktimin e për fituesve të ndihmës ekonomike do të zbatohet në të gjithë vendin nga data 1 shtator e këtij viti. Ndryshimet e ligjit “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore” u publikuan ditën e djeshme në Fletoren Zyrtare, ndërkohë që do t’i shtrijnë efektet pikërisht pas 4 muajsh. Ndryshimi vjen pas pilotimit 2-vjeçar të formulës së pikëzimit në Tiranë, Durrës dhe Elbasan e që tashmë do të aplikohet edhe në 9 qarqet e tjera të vendit. Kjo do të thotë se do të jetë sistemi dixhital ai që, në bazë të deklarimeve të familjeve, do të përcaktojë nëse do të vijojnë të jenë pjesë e skemës apo do të përjashtohen për shkak të mosplotësimit të kushteve. Ndërkohë, parashikohet edhe përditësimi i formulës së unifikuar të pikëzimit nga autoriteti shtetëror përgjegjës për ndihmën dhe shërbimet shoqërore.
Kjo, në vartësi të nivelit të varfërisë në vend, duke qenë se shpeshherë sistemi i pikëzimit është kritikuar se ka lenë jashtë edhe familje të varfra, që do të duhej të kishin qenë përfituese. Duke iu referuar pilotimit në 3 qarqe, familjet duhet të plotësojnë një formular, i cili përveç informacioneve personale të familjes përfituese, përfshin të dhënat për banesën, ujin, dritat, gazin dhe mallrat e qëndrueshëm. Te tipi i banesës përfshihet numri i dhomave, ballkoneve, tarracave, ashensorit etj. Po ashtu, duhet të raportohet edhe fakti nëse ajo ka matësin e energjisë, burimin e ngrohjes, si dhe të gjitha asetet ku përfshihen: TV, frigoriferi, lavatriçja, mikrovala, kaloriferi, boileri, makina qepëse, biçikleta, autovetura, etj. Po ashtu, familjarët duhet të raportojnë edhe faktin nëse disponojnë apo jo gjë të gjallë si: lopë, derra, dele, kuaj, etj. dhe sasinë përkatëse. Gjithashtu, sipas formularit nevojitet edhe një përshkrim i shkurtër i nivelit të jetesës së aplikantit.
Ndërkohë që, përmes një formule që nuk bëhet publike është sistemi elektronik, ai që përcakton në bazë të këtyre të dhënave nëse familja duhet ta përfitojnë ndihmën ekonomike apo jo. Më herët ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi ka deklaruar se me ndryshimet që i janë bërë ligjit, ndihma ekonomike për familjet që jetojnë në fshat do të jetë vetëm në masë të plotë, ndërsa aplikimi i formulës së pikëzimit pritet të sjellë dhe rritje të masës së përfitimit. “Nuk do të kemi më masë të pjesshme për familjet në zonat rurale, të cilat kryesisht janë trajtuar me ndihmë të pjesshme. Në vitin 2015 pagesa mesatare në ndihmë ekonomike për familje në qarqet jopilot ka qenë 3929 lekë, ndërsa në qarqet pilot ka qenë 5121 lekë (me të njëjtën përbërje familjare)”, ka sqaruar Klosi.
PUNËSIMI
Ndërkaq, sipas ndryshimeve që ka pësuar ligji, anëtarëve të familjes që përfitojnë ndihmë ekonomike e që janë në moshë aktive pune do t’u ofrohen vende punësimi, por në rast refuzimi, do të përjashtohen nga skema. Kjo, pasi synohet integrimi në jetën shoqërore të familjeve që janë pjesë e skemës së ndihmës nëpërmjet programeve të nxitjes së punësimit, riintegrimit social, etj. Sipas Klosit, kjo bëhet “me qëllim që kjo skemë të mos përdoret si mekanizëm përfitimi që mund të çojë në papunësi të zgjatur të anëtarëve të familjeve në skemën e ndihmës ekonomike dhe për ta kthyer këtë në një skemë aktive.
Kjo do të realizohet nëpërmjet ofrimit të punëve të përshtatshme për anëtarët e familjes në skemën e ndihmës ekonomike, të cilët janë në moshë aktive pune”. Gjithashtu, përveç përjashtimit nga skema në rast të refuzimit të një vendi të përshtatshëm pune, familjet mund të përjashtohen nga skema edhe për deklarime të rreme, mashtrime, etj. Një tjetër ndryshim që pritet të sjellë ligji i ri ka të bëjë me rritjen e fondit për familjet që nuk arrijnë të klasifikohen si përfitues, por që mund t’u “lidhet” një pagesë nga Këshilli Bashkiak.
(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)
