TIRANE- Partia Socialiste ka akuzuar PD-së se po pengon procesin e dekriminalizimit. Në një deklaratë për mediat, deputeti Alfred Peza, njëkohësisht Sekretar për Organizimin Dixhital në PS, tha se Partia Demokratike nuk ka meritë në largimin e Rroshit nga kreu i Bashkisë së Kavajës, pasi sipas tij, ai u dorëhoq pasi u njoh me të vërtetën.

DEKLARATA E PLOTE
Që ligji i dekriminalizimit të japë efektet e tij të plota, është radha e Partisë Demokratike të veprojë. Sepse të gjithë kanë patur rastin që ta shohin, se është kjo parti që po e pengon procesin e dekriminalizimit, duke mbrojtur deputetët dhe të zgjedhurit e tjerë të vet, subjekte të këtij ligji.

Dekriminalizimi është një proces i pandalshëm për pastrimin e skenës politike shqiptare, që nuk bëhet me fjalë, por me vepra.

Ndaj, e ftojmë Partinë Demokratike që të gjejë kurajon për të shkuar përtej propogandës, retorikës boshe dhe fjalëve në erë.

Ish ministri i Brendshëm Flamur Noka akuzohet si spiun i shërbimeve sekrete serbe. Ai ka qenë i ndaluar dhe ka gënjyer në formularin që ka plotësuar vetë për dekriminalizimin.

Partia Demokratike duhet të veprojë menjëherë, pasi të gënjesh nëpërmjet formularit, përbën vepër penale që dënohet nga ligji.

Në të njëjtën mënyrë duhet të veprohet për Alban Zenelin, deputetin e dënuar me burg por edhe për Arben Ristanin, numrin dy të Partisë Demokratike i dënuar gjithashtu me burg.

Partia Socialiste i bën thirrje Prokurorisë së Përgjithshme që të përfshihet në hetimin e Flamur Nokës, Arben Ristanit, Alban Zenelit e të çdokujt tjetër që përfaqëson këtë parti dhe që ka probleme me dekriminalizimin.

Partia Demokratike nuk mund të pretendojë se ka ndonjë meritë në rastin e dorëheqjes së ish- Kryetarit të Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi. Sepse, ai u dorëhoq pasi u njoh vetë me të vërtetën.

Ndërsa ne si familje politike, theksuam se respektojmë veç ligjin dhe se përpara ligjit, askush nuk është më i rëndësishëm.

REAGON PD: E TURPSHME MBROJTJA QE I BEHET PERDHUNUESIT
Partia Demokratike reagoi pas dekaratës së deputetit socialist Alfred Peza, duke e cilësuar të turpshme mbrojtjen që sipas PD-së, “Kryeministri Rama po i bën një përdhunuesi si Elvis Roshi”.

“Ashtu siç mbronte dje Arben Ndokën e Mark Frrokun që detyronin femrat të prostituonin ashtu dhe sot Edi Rama ka dalë në mbrojtje të një përdhunuesi si Elvis Roshi. Kjo është e turpshme.  Edi Rama duhet tu kërkojë ndjesë shqiptarëve që i poshtëroi me këtë qeverisje kriminelesh. Duhet t’i kërkojë ndjesë qytetarëve të Kavajës që i poshtëroi, duke kandiduar një person të dënuar për përdhunim, tu kërkoj ndjesë që u kandidoi një person të dënuar në Zvicër për trafik droge e të ndaluar në Gjermani, siç e pranon dhe vete Elvis Roshi. Nëse nuk do të ishte ligji për dekriminalizimin që Edi Rama e kundërshtoi deri në frymën e fundit, Elvis Roshi do të ishte ende duke drejtuar Bashkinë e Kavajës.  Edi Rama të lerë sulmet absurde ndaj opozitës se nuk i ikën dot përgjegjësisë e të dorëzojë trafikantët dhe kriminelet që drejtojnë Bashkitë, policinë dhe poste kyçe të administratës. ​“- thuhet në reagimin e PD-së.

(el.sp/er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: