Në fjalën e tij gjatë homazheve në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”, kryeministri Edi Rama ka zbuluar detaje nga bisedat që ka patur me Kryepeshkopin Anastas.

Kreu i qeverisë tha se Anastasi ishte “Kryepeshkopi i 9-të gjuhëve”, ndërsa tregoi se ata këmbenin së bashku fjalë mbi Biblën, apo siç shprehet, edhe për letrat laike. Rama thekson se Kryepeshkopi kishte gjithnjë merak për çështje të lidhura me Kishën.

Ai shtoi se “Shqipëria fitoi një avokat atje lart pranë zotit”.

“Fituat Anastasin e Shqipërisë. Fituat një avokat atje lart pranë zotit, që liturgjia e Shën Joan gojartit që quan aq bukur “një mik të njeriut”. Fituat shembullin e një shërbestari të pajtimit në tokë që tashmë ju takon të gjithëve ta ndiqni dhe për hir të të vërtetës na takon të gjithëve ta ndjekim në atë dhe këtë anë të kufirit i cili nuk na ndan më shumë se sa na bashkon”, tha kryeministri.

Edi Rama: “I lexuar si pak të tjerë dhe i hapur ndaj kulturës së madhe, Kryepeshkopi i 9 gjuhëve që me mua kishte qejf të argëtohej duke këmbyer ndonjë fjalë mbi xhevahiret e Biblës por edhe të letrave laike, në ato pak momente që mbeteshin pasi më qante hallet e Kishës, me siguri nuk do të mbante mëri – por jam i bindur se do të vinte në gaz buzën e tij që për hir të së vërtetës i thoshte të tëra bashkë me ato që nuk thoshte.

Dua t’i jap lamtumirën me disa rreshta të një emri të mallkuar, Oscar Wilde me De Profundis-in e tij: “Pjesa më e madhe e njerëzve jetojnë për t’u dashur dhe për t’u adhuruar nga të tjerët, por ne duhet të jetonim për të dashur dhe adhuruar të tjerët. Nëse dikush na jep dashuri, duhe ta pranojmë vetë se jemi të padenjë për t’u dashur. Askush nuk është i denjë për t’u dashur. Vetë fakti që perëndia e do njeriun na tregon se në rendin hyjnor të gjërave, dashuria e përjetshme u jepet pikërisht atyre që janë përjetësisht të padenjë për të. Nëse kjo duket fort e hidhur le ta kthejmë së prapthi dhe le të themi se të gjithë njerëzit janë të denjë për t’u dashur me përjashtim të atyre që e meritojnë me të vërtetë”.

Sot, komuniteti Ortodoks jo vetëm në Shqipëri por kudo gjetkë është në zi, sot Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë është në zi, por le ta themi sërish: “Gëzohuni! Humbët në këtë jetë Kryepeshkopin e 33 viteve që përmes fjetes me zotin ndërroi jetë. Kjo ishte një shprehje që ai e konsideronte më të bukur të 33 viteve. Por ama fituat Anastasin e Shqipërisë. Fituat një avokat atje lart pranë zotit, që liturgjia e Shën Joan gojartit që quan aq bukur “një mik të njeriut”. Fituat shembullin e një shërbestari të pajtimit në tokë që tashmë ju takon të gjithëve ta ndiqni dhe për hir të të vërtetës na takon të gjithëve ta ndjekim në atë dhe këtë anë të kufirit i cili nuk na ndan më shumë se sa na bashkon”.

Paqja qoftë me shpirtin e Anastasit të Shqipërisë në amshim!

(BalkanWeb) 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb