MAQEDONI- Kryetari i Kuvendit Ilir Meta është takuar sot në Shkup me Kryeministrin e Maqedonisë, Nikola Gruevski si dhe me Presidentin e Maqedonisë Gjorge Ivanov ku kanë biseduar për intensifikimin dhe konkretizimin e bashkëpunimit mes dy vendeve. Meta dhe Gruevski kanë vënë theksin në rëndësinë e realizimit sa më të shpejtë të hekurudhës që lidh Shqipërinë me Maqedoninë duke e konsideruar atë si një emergjencë strategjike si për Tiranën ashtu edhe për Shkupin, dhe si një hallkë të fortë të “Korridorit të 8-të” që i shërben tërë rajonit.

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Meta dhe Kryeministri i Maqedonisë Gruevski shprehën vullnetin në forcimin e ndërlidhjeve infrastrukturore dhe energjetike, si dhe të shkëmbimeve tregtare e njerëzore mes dy vendeve fqinje si një domosdoshmëri ekonomike e kulturore.

Meta u shpreh se në kuadër të rritjes së cilësisë së bashkëpunimit dypalësh dhe të avancimit me projektet ndërkufitare, Kuvendi i Shqipërisë mbështet mbledhjet e përbashkëta dhe bashkërendimin e punës mes dy Qeverive të Shqipërisë dhe Maqedonisë, që do t’i shërbejë procesit të integrimit evropian të dy vendeve fqinje.

Në përfundim, Kryetari i Kuvendit Meta rikonfirmoi mbështetjen e pakursyer të Shqipërisë për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe ndau bindjen e përbashkët me Kryeministrin Gruevski se sfidat e terrorizmit ndërkombëtar në Evrope kërkojnë një bashkërendim më të madh mes të gjitha vendeve të rajonit të Evropës Juglindore, ku Shqipëria dhe Maqedonia kanë një peshë të veçantë.

Kryetari i Kuvendit Ilir Meta, u prit sot edhe nga Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov me të cilin ka ndarë vullnetin për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe.

Presidenti Ivanov i uroi mirëseardhjen Kryetarit të Kuvendit, Meta dhe delegacionit parlamentar shqiptar në Shkup dhe nënvizoi rëndësinë e afrimit mes dy vendeve dhe dy popujve përmes forcimit të lidhjeve infrastrukturore.

Ata ndanë bindjen e përbashkët se përforcimi i ndërlidhjeve infrastrukturore dhe energjetike në të dy anët e kufirit do t’i shërbejë rritjes së shkëmbimeve tregtare e kulturore mes dy vendeve dhe dy popujve.

Meta dhe Ivanov theksuan se në emër të së ardhmes së përbashkët evropiane dhe duke vlerësuar rëndësinë e harmonisë ndëretnike dhe ndërfetare në rajon, dy vendet duhet të përqendrojnë përpjekjet e tyre në avancimin e procesit të integrimit evropian, duke e ngritur bashkëpunimin dypalësh dhe atë rajonal në një nivel edhe më të lartë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb