NGA ERMELINDA HOXHAJ*
Ditën e djeshme maturantët mbyllën provimin e tretë të maturës shtetërore. Provimit të detyruar të matematikës i janë nënshtruar plot 42.400 maturantë në rang vendi. Në dispozicion maturantët kishin dy orë e 30 minuta për zhvillimin e testit, i cili përbëhej nga 25 pyetje, 13 pyetje me zgjedhje (alternativa) dhe 12 pyetje me zhvillim.

“Gazeta Shqiptare” ka publikuar skemën e vlerësimit dhe testet sipas variantit A që u kanë rënë maturantëve në gjimnazet normale, ato artistike dhe në ato profesionale, ku maturantët mund të verifikojnë përgjigjet që kanë dhënë.

Kandidatët që të quhen kalues në këtë provim duhet të marrin 20% të testit, ose thënë ndryshe duhet të marrin minimalisht 10 pikë, e cila përkthehet në notën 4.5. Matematika është provimi i fundit i detyruar që ju nënshtruan maturantët, por pas një jave rreth 45 mijë kandidatë do t’i nënshtrohen provimeve me zgjedhje, në datë 24 qershor. Ndërkohë që sot, pritet të bëhen publike edhe rezultatet e provimit të gjuhës së huaj me detyrim.
Teza&debatet

Pas mesnatës, së ditës së enjte, në rrjetet sociale qarkulloi një tezë provimi e matematikës. Por në orët e para të paradites Ministria e Arsimit dhe Sportit e përgënjeshtroi lajmin, duke thënë se nuk ishte teza e vërtetë dhe se procesi i administrimit ka përcaktuar rregulla të qarta se si ruhet dhe administrohet testi deri në shpërndarjen në qendrat e provimit në mbarë vendin.

“Tezat janë shoqëruar dhe ruhen në të gjithë vendin nga forcat e rendit dhe punonjës të përzgjedhur të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit. Ndaj, çfarëdo informacion që pretendon se teza e matematikës është publikuar përpara provimit është i pavërtetë dhe një sajesë dashakeqëse nga të gjithë ata që kërkojnë të baltosin këtë proces model administrimi të nisur prej MAS nga viti 2014”,-sqarohet në njoftimin e MAS.

Pjesë e kësaj situate është bërë edhe ish-kryeministri Sali Berisha, i cili e ka quajtur turp kombëtar daljen e tezës. Ndërsa ministrja e Arsimit Lindita Nikolla ka thënë se ish-kryeministri është gënjeshtar dhe ka publikuar tezën që maturantët kanë pasur realisht në provimin e djeshëm.

(Përgjigjet e provimit i gjeni në numrin e sotëm të “Gazetës Shqiptare”

(m.k/GSH/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb