Mbyllja e fushatës elektorale këtë të premte ka një specifikë të veçantë për Tiranën, pasi sheshet kryesore të kryeqytetit nuk do të jenë të disponueshme për partitë politike, për shkak të dy aktiviteteve madhore që po zhvillohen paralelisht.

Sheshi Skënderbej do të presë një etapë të veçantë të ngjarjes prestigjioze sportive Giro d’Italia, që këtë vit përfshin edhe Tiranën në itinerarin e saj. Përgatitje në sheshin qendror të kryeqytetit po bëhen edhe për Samitin e Komunitetit Politik Europian në datat 15-16 maj. Për pasojë, partitë kryesore kanë zgjedhur vende alternative për organizimin e mitingjeve përmbyllëse.

  • foto galeri

Partia Demokratike do të mbajë takimin përmbyllës të fushatës së saj elektorale në 9 maj, në Bulevardin e Ri të Tiranës, te ish-Stacioni i Trenit, të udhëhequr nga kryedemokrati Sali Berisha.

Nga ana tjetër, Partia Socialiste nën drejtimin e kryeministrit Edi Rama do të mbyllë fushatën elektorale të premten në orën 19:00 në fushën pranë Parkut Olimpik në zonën e Komunës së Parisit.

Socialistët e nisën zyrtarisht fushatën më 12 prill nga sheshi Skënderbej, në një aktivitet festiv të shoqëruar me këngë dhe valle.

Pas përmbylljes së aktiviteteve politike, e shtuna do t’i përkasë heshtjes zgjedhore, një ditë reflektimi për qytetarët, përpara se të dielën më 11 maj të votojnë për përfaqësuesit e tyre dhe për drejtimin që do të marrë vendi në vitet e ardhshme.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb