*Intervistë me Drejtoren e Përgjithshme Ekzekutive të Kompanisë NOA, Znj. Herjola Spahiu

Për dy ditë me radhë, Tirana ka qenë në qendër të vëmendjes së 104 institucioneve ndërkombëtare financiare nga 32 vende evropiane. Bëhet fjalë për institucione të mikrofinancës, sektor ky i cili luan një rol të rëndësishëm në kreditimin e ekonomisë. Konferenca e parë ndërkombëtare e organizuar në vendin tonë, e këtyre institucioneve shërbeu për një lobim më të madh për të kredituar më shumë sektorin e bujqësisë, aty ku është më shumë e përqendruar edhe puna e tyre si dhe për të reduktuar pengesat që has ky sektor. Kompanitë në këtë fushë operojnë në një treg të vështirë, pasi targetohen kryesisht të gjithë ata klientë që nuk shërbehen nga sistemi bankar. Ndaj dhe sfidat e këtij sektori dinamik janë të mëdha. Ajo që vlen për t’u theksuar është fakti se nuk janë të pakta rastet kur shërbimet e ofruara nga kompanitë e mikrofinancës konkurrojnë ato të bankave. Një prej kompanive lider në këtë fushë është edhe NOA. Drejtorja e Përgjithshme Ekzekutive e NOA Herjola Spahiu, njëherazi edhe Kryetare e Shoqatës së Mikrofinancës Shqiptare, AMA flet në këtë intervistëpër pengesat e këtij sektori, avatanzhet ndaj bankave, teknologjinë e avancuar që aplikon NOA, si dhe vizionin lidhur me pritshmërinë se ku do të pozicionohet kompania që ajo drejton në tregun e mikrofinancës.

Konferenca Vjetore e Mikrofinancës u organizua këtë vit në Shqipëri. Cilat janë pritshmëritë tuaja nga ky event?

Për herë të parë, Qendra Europiane e Mikrofinancës (MFC) ka përzgjedhur vendin tonë si vendin mikpritës për të zhvilluar Asamblenë e saj të Përgjithshme vjetore. Ky aktivitet ka mbledhur për herë të parë në Shqipëri rreth 400 përfaqësues nga 104 Fonde, Institucione Financiare dhe Banka nga 32 shtete evropiane, ndaj të cilëve organizuam edhe mbrëmjen gala në Pallatin e Brigadave. Të pranishëm në këtë konferencë ishin përfaqësues të lartë: Ministri i Bujqësisë, Z. Edmond Panariti; Ministrja e Ekonomisë, Znj. Milva Ekonomi; Presidenti i Qendrës Europiane e Mikrofinancës, Z. Grzegorz Galusek, përfaqësues të institucioneve financiare vendase si dhe ndërkombëtare, ekspertë të mirënjohur ndërkombëtar të financës, etj. Impaktet e pritshme nga mbajtja e Asamblesë së Përgjithshme vjetore të MFC-së në Tiranë janë të shumëfishtë:
*Nxit thithjen e investitorëve të huaj financiarë për të vizituar Shqipërinë si i vetmi takim B2B i sektorit financiar dhe i kësaj shkalle mbajtur ndonjëherë në vend.
*Promovon politikat e vetëpunësimit të qeverisë shqiptare në mbështetje të sipërmarrjes duke e quajtur Shqipërinë një shembull suksesi në nivel evropian.
*Mundëson një lobim më efikas ndaj çeljes së fondeve BE për sipërmarrjen në Shqipëri duke ftuar në Tiranë me dhjetëra përfaqësues të niveleve më të larta të Bashkimit Evropian.
*Mbështet drejtpërsëdrejti aksionin e diplomacisë ekonomike të vendit tonë;
*Ndikon në uljen e normës së interesit të financimeve në afat-mesëm për mikrofinancën Shqiptare nga rritja e kontakteve me institucione financiare evropiane.
*Rrit vëmendjen e publikut shqiptar mbi çështjen e ndërveprimit mes “aksesit në financë” dhe “formalizmit” të biznesit të vogël.

NOA sh.a është një kompani që operon në tregun shqiptar prej 18 vitesh tashmë, duke treguar një rritje të qëndrueshme nga viti në vit. Cilat kanë qenë avantazhet që kanë siguruar këtë rritje?
NOA është një institucion financiar që operon në tregun Shqiptar prej 18 vitesh, duke pasur si qëllim kryesor nxitjen e ekonomisë në vend si dhe zhvillimin e biznesit të vogël dhe të mesëm. Ajo ofron shërbime financiare duke mbështetur sipërmarrës të të gjithë sektorëve përfshirë prodhimin, bujqësinë dhe blegtorinë, tregtinë dhe shërbimet, duke zhvilluar një portofol të mirë dhe të diversifikuar të kredisë ekskluzivisht në monedhën vendase, duke menaxhuar vetë riskun e këmbimit. Me një mbulim rreth 90% të territorit të Shqipërisë NOA numëron sot 21 degë në të gjithë vendin, mbi 300 punonjës dhe 1,000 partnerë, duke ofruar shërbimet e saj aktualisht për rreth 14 mijë sipërmarrës dhe duke pasur një kreditim në ekonominë shqiptare prej më shumë se 200 milion euro ndër vite.
Rritja pozitive dhe e qëndrueshme e Institucionit tonë i atribuohet patjetër modelit unik të biznesit duke ofruar fleksibilitet dhe shpejtësi në procesin e kredidhënies gjatë shitjes në terren; vendosjes në fokus të klientit duke mos e ekspozuar ndaj kursit të këmbimit, duke e lehtësuar në pjesën procedurale dhe dokumentare, si dhe duke qenë fleksibël në pranimin e garancive; aftësisë për të përshtatur planet strategjike me ndryshimet e tregut, ndryshimet e legjislacionit dhe kuadrit rregullator, kërkesën e tregut si dhe zhvillimet më të fundit teknologjike; menaxhimit të fortë dhe stafit profesional të karakterizuar nga një etikë e lartë profesionale dhe përkushtim në punë. Por sigurisht që kjo rritje është mbështetur në mënyrë të vazhdueshme nga partnerë strategjikë me reputacion ndërkombëtar dhe vendas, të cilët janë faktorë të rëndësishëm në industrinë e Mikrofinancës në rajon si: BERZH, OMP, BKT, Société Générale, ResponsAbility, Global Microfinance Fund, EFSE, Oiko Credit, Blue Orchard, etj.

Cilat janë vështirësitë kryesore te hasura në tregun e mikrofinancës në Shqipëri dhe çfarë sugjeroni për ti tejkaluar ato?
Tregu i mikrofinancës në këto vite ka kaluar sfida të shumëllojshme të cilat kryesisht janë prezent në ekonomitë në zhvillim, disa prej të cilave janë: a) Informaliteti i ekonomisë shqiptare mbetet një faktor shumë i rëndësishëm duke konsideruar segmentet e klientëve ku mikrofinanca operon; b) fragmentimi i madh i tokave bujqësore dhe mungesa e titujve të saktë të pronësisë; c) mungesa e skemave të sigurimit për një pjesë të rëndësishme të sektorit të mikrofinancës, bujqësinë dhe fermerët; d) mungesa e aksesit në fonde me norma të buta interesi apo grante/garanci qoftë nga Institucionet Qeveritare, ashtu edhe ato të huaja; e) mosnjohja e këtij tregu dhe impakti që kjo ka ekonominë e vendit.
Sigurisht që një diplomaci ekonomike dinamike në tregun ndërkombëtar nga ana e qeverisë në drejtim të nxitjes së thithjes së investitorëve të huaj, lobimi efikas në drejtim të mundësimit të çeljes së fondeve nga BE, si dhe përmirësimi i kuadrit rregullator dhe ligjor për këtë pjesë të sektorit financiar janë mëse të nevojshme për të siguruar mbarëvajtjen dhe ecurinë e shëndetshme të sektorit të mikrofinancës.
Vlen të theksohet se vitin e kaluar qeveria shqiptare aprovoi Fondin e Garancisë Kombëtare në bashkëpunim me Bankën Botërore për Zhvillim dhe Rindërtim, fonde të cilat do të mbështesin sektorin e bujqësisë. NOA sh.a është Institucioni i parë financiar në Shqipëri që ka firmosur një kontratë të rëndësishme për këtë fond në Qershor dhe do të fillojë kreditimin tek klientët gjatë ditëve të para të Korrikut.
Komuniteti Europian që prej Nëntorit 2015 e ka vendosur Shqipërinë në listën e vendeve të cilat mund të përfitojnë nga skemat e buta të Garancisë dhe linjave të kredisë me interes më të butë. Tashmë mbetet të shikojmë realizimin dhe impaktin e skemave të tilla në ekonominë shqiptare.

Zhvillimi teknologjik dhe mikrofinanca shqiptare. Cilat janë metodat e të bërit biznes nëpërmjet teknologjive të reja të përqafuara tashmë nga NOA? Si e kanë perceptuar apo kanë reaguar klientët tuaj ndaj këtyre zhvillimeve novative?
Tregu i mikrofinancës është treguar shumë dinamik vitet e fundit në adoptimin e zhvillimeve të fundit teknologjike, duke dashur të krijojë avantazhe konkurruese për klientët si dhe për të krijuar një proces kredidhënie sa më eficent. Orientimi drejt një modeli shitje në terren, ku aplikimet e kredive fillojnë në një tablet dhe vlefshmëria e fondeve për klientin kryhet brenda ditës është i pashmangshëm në modelin e mikrofinancës në Shqipëri dhe në rajon.
NOA sh.a është kompania e parë që operon në treg me një strukturë dhe model operacional unik, duke bërë dallimin mes kompanive të tjera financiare dhe krenohet nëpërmjet shërbimit të saj “Shpejtë dhe Lehtë”, për të gjithë klientët si në zonat urbane dhe ato rurale në 90% të territorit të Shqipërisë. Ky shërbim ka krijuar vlerë të shtuar tek klientët tanë sigurisht, duke përfituar më shpejt paratë e tyre, duke minimizuar dokumentacionin që duhet të përgatisin për marrjen e një kredie si dhe duke përfituar norma më të mira interesi nga kartat tona të “besnikërisë”

Cila është sfida e NOA-s për 3 vitet e ardhshme dhe ku e mendoni pozicionimin tuaj në këtë treg?
NOA sh.a do të vazhdojë të mbajë një ritëm dinamik rritje në treg duke rritur pjesën e tregut dhe zgjeruar bazën e klientelës, me të njëjtin fokus në mbështetje të biznesit të vogël dhe të mesëm, profesioneve të lira, bujqësisë dhe blegtorisë apo agro-turizmit. Sigurisht që me synimin për të thjeshtuar më tepër proceset tona, zhvillime të reja teknologjike do të vazhdojnë të sillen si risi nga ana jonë. Vlen këtu të përmendim projektet tona më të shpejta si:
– Aplikimi i sistemit Scoring, i cili pritet të sjellë një rritje të mëtejshme të eficensës gjatë vlerësimit të një kredie.
– Pagesat e kësteve të klientëve tanë nëpërmjet krediteve telefonike, në bashkëpunim me një nga operatorët e telefonisë më të fuqishëm në treg
– Identifikimi dhe verifikimi elektronik i të dhënave personale të klientëve dhe firma elektronike, etj
Gjithçka më lart përputhet më së miri me vizionin tonë për të qenë kompania referencë në industrinë e shërbimeve financiare, duke transformuar kredidhënien komplekse në një proces të thjeshtë financimi nëpërmjet zhvillimeve dhe risive të vazhdueshme; ofrimit të një etike të lartë në ambientet tona të punës në mënyrë që të jemi zgjedhja e parë si punëdhënës për talentet e tregut; gjenerimi i vlerave dhe përfitimeve të qëndrueshme për aksionerët tanë.

logo_NOA

(d.b/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: