Vendi vijon të përballet me një situatë të rënduar nga zjarret, të cilat po prekin zona të ndryshme të territorit. Sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile në AKMC, deri në orën 18:00 të ditës së sotme janë raportuar 22 vatra zjarri, nga të cilat 11 janë shuar dhe 11 vijojnë të jenë aktive.
Përmes ndërhyrjes së menjëhershme të forcave operacionale, është bërë i mundur izolimi dhe shuarja e disa vatrave në bashkitë Korçë, Vlorë, Himarë, Kavajë, Shijak, Kamëz dhe të tjera.
Ndërkohë, në zonat ku flakët mbeten aktive, përballja është e vështirësuar për shkak të terrenit të thyer dhe erës së fortë që përhap shpejt zjarrin. Një nga vatrat më serioze ndodhet në Parkun Kombëtar të Lurës në Dibër, ku që prej datës 7 korrik zjarri vijon të përhapet në dy fronte. Në këtë zonë janë angazhuar mbi 60 forca të FA dhe autoriteteve vendore, ndërsa vatra të tjera po digjen në Mat, Bulqizë, Maqellarë, Elbasan, Vlorë, Fier, Lezhë, Durrës dhe Shijak.
Në zonën e Dukatit, mbi fshatin Sotiran, zjarri është përhapur me intensitet dhe ka përfshirë edhe sipërfaqe me pisha. Ndërhyrja është e vështirë dhe po bëhet nga mbi 25 efektivë në terren. Po ashtu, në Mallakastër, një vatër e fuqishme po djeg zonën e Belishovës, ndërkohë që po operojnë qindra forca me dhjetëra mjete zjarrfikëse dhe helikopterë ushtarakë.
Autoritetet bëjnë thirrje për kujdes maksimal dhe raportim të menjëhershëm të çdo rasti zjarri, ndërsa monitorimi dhe ndërhyrjet do të vijojnë pa ndërprerje deri në shuarjen e plotë të vatrave.
