Lideri serb i Bosnjës, Milorad Dodik, të cilit gjatë ditës iu hoq mandati si president i Republikës Sërpska nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Bosnjë-Hercegovinë, ka shpallur referendum për pozitën e tij në krye të këtij entiteti.

Pas njoftimit të Komisionit, Dodiku ka mbledhur partnerët e koalicionit. Ai ka thënë se unanimisht kanë vendosur që të thirrin referendum.

“Mandati më është dhënë nga populli, prandaj do t’i dëgjoj në referendum, që do të mbahet në periudhën e ardhshme dhe që do të vendosë për mua”, ka thënë ai.

Dodiku më herët gjatë ditës reagoi ndaj vendimit duke thënë se nuk e njeh Komisionin.

Vendimi i Komisionit ndaj Dodikut u mor pas dënimit të tij me një vit burg dhe ndalimit për gjashtë vjet që ta ushtrojë funksionin e presidentit, vendim ky që ka ndikuar drejtpërdrejt në legjitimitetin e tij për të vazhduar mandatin.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb