Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, së bashku me zëvendësministrin në detyrë të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, priti sot Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.
Gjatë takimit u diskutua për zhvillimet aktuale në Kosovë, situatën e komuniteteve joshumicë, veçanërisht komunitetit serb, si dhe për avancimin në zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit.
Kurti informoi Sorensen për mbështetjen financiare të dedikuar komunave me shumicë serbe, veçanërisht në zonat veriore, si dhe për sukseset në fushën e punësimit dhe hapjen e institucioneve të Kosovës në këto zona.
“Që nga prilli 2024, mbi 800 qytetarë në komunat veriore janë punësuar përmes programit qeveritar “Qeveria për Familjet”, ndërsa nga janari i vitit të kaluar janë regjistruar mbi 430 biznese të reja”, thuhet në njoftim
Kryeministri theksoi gjithashtu se pas dorëheqjes kolektive të policëve serbë në nëntor 2022, rreth 200 policë të rinj serbë janë bashkuar me Policinë e Kosovës dhe shërbejnë pa dallim etnie.
Ai shtoi se gjatë dy viteve të fundit nuk ka pasur incidente ndërmjet punëtorëve shqiptarë dhe serbë në asnjë kompani private apo institucion publik, duke dëshmuar përpjekjet e Qeverisë dhe institucioneve të Kosovës për integrimin e komunitetit serb.
Nga ana tjetër, Kurti shprehu shqetësim për deklaratat kërcënuese të udhëheqësve serbë ndaj Kosovës dhe për arrestimet arbitrare të qytetarëve të Kosovës gjatë tranzitit nëpër Serbi, duke kërkuar reagim të qartë dhe dënim nga komuniteti ndërkombëtar ndaj këtyre veprimeve.
(BalkanWeb)
