Partia e Lirisë ka reaguar lidhur me pagesat që vazhdojnë të kryhen për inceneratorin e Tiranës, i cili gjatë vitit 2024 sipas kësaj force politike ka shënuar një fitim të lartë prej 10.3 milionë eurosh, duke u rritur me 36% krahasuar me vitin e kaluar.
Nëpërmjet një deklarate për media, anëtari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Dr. Artan Distafa, i kërkon SPAK-ut të sqarojë përse ende nuk ka nisur një hetim penal për personat përgjegjës.
Distafa thekson se “të gjithë shqiptarët e dinë vendimin e Edi Ramës që i dha kompanisë së inceneratorëve një përfitim prej 8%, edhe kur kompania nuk ekzistonte zyrtarisht. Po ashtu, me firmën e tij dhe në kundërshtim me ligjin, Erion Veliaj hapi rrugën për këtë aferë. Pse SPAK nuk guxon të hetojë?”, u shpreh ai.
Deklarata e anëtarit të Këshillit Bashkiak në bashkinë e Tiranës, Dr. Artan Distafa:
Në vitin 2024, inceneratori fantazmë i Tiranës, raportoi një fitim marramendës prej 10.3 milionë eurosh, një rritje prej 36% krahasuar me vitin pararendës. Fitime që nuk burojnë nga ndonjë punë reale, por nga miliona euro taksa të qytetarëve shqiptarë që vazhdojnë të derdhen në një gropë të zezë korruptive.
Në Tiranë nuk ka incenerator, megjithatë, pagesat vijojnë çdo muaj me bekimin, heshtjen dhe bashkëfajësinë kriminale të SPAK, që këtë aferë e cilëson si “krim intelektual” të vështirë për t’u hetuar.
Meqënëse pagesat ende vijojnë për një shërbim që kurrë nuk u kryer, Altin Dumani duhet të na tregojë ku është inceneratori i Tiranës?
Pse lejon vijim e aferës me mos ndërprerjen e pagesave?
Pse nuk ka ende një hetim penal ndaj Edi Ramës dhe Erion Veliajt, dy pronarët faktikë të kësaj mega-afere?
Të gjithë shqiptarët e dinë tanimë, vendimin e Edi Ramës që i dha kompanisë së inceneratorëve, kur ekzistonte as në letër, 8% bonus favorizim.
Të gjithë shqiptarët e dinë se Erion Veliaj, me firmë të tij, në tejkalim të kompetencave dhe në shkelje të ligjit për pushtetin vendor i hapi udhën kësaj afere.
Përse SPAK nuk guxon të marrë të pandehur për këtë aferë Edi Ramën dhe Erion Veliaj?
Kjo është prova më e qartë se sistemi i drejtësisë së re nuk është i pavarur, por selektiv dhe i kontrolluar.
Megjithëse SPAK-u, po heton prej 5 vitesh këtë aferë, të cilësuar si një “krim intelektual”, ende nuk ka arritur të gjejë përgjegjësitë penale të Ramës dhe Veliaj, sepse si në çdo aferë ku del emri i Kryeministrit, Dumani mbyll edhe sytë edhe dosjet.
Grupi i Këshilltarëve të Partisë së Lirisë në Bashkinë e Tiranës, denoncon me forcë këtë aferë, heshtjen kriminale të SPAK, të kapur për fyti nga Edi Rama dhe kërkon me vendosmëri:
- Ndërprerjen e menjëhershme të pagesave për inceneratorin fantazmë të Tiranës.
- Hetim penal për Erion Veliaj dhe Edi Ramën, pronarët faktikë të inceneratorit.
- Transparencë publike mbi të gjitha pagesat e kryera, faturat dhe kontratat.
- Kthimin e çdo qindarke të vjedhur në buxhetin e shtetit.
Çdo ditë që kalon dhe SPAK nuk merr në përgjegjësi penale Edi Ramën, provon se është fund e krye, një vegël qorre në shërbim të tij, për të goditur vetëm kundërshtarët politikë, veçanërisht denoncuesit më të vendosur të aferës së inceneratorëve, si në rastin e Presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili çmontoi dhe denoncoi i pari skandalin e inceneratorëve, ndërkohë që vijon të mbahet në izolim ekstrem pa fakte dhe pa prova penale, në mënyrë që pronari faktik i inceneratori, Kryeministri Rama të vijojë të vjedhë i lirë dhe i qetë.
