Avokatja Adriana Kalaja, e ftuar në programin e drekës në News24, ka komentuar zhvillimet më të fundit në garën për kreun e Partisë Demokratike, duke u ndalur te përjashtimi i disa kandidatëve dhe kriteret e vendosura nga partia.
Kalaja theksoi se ligjërisht çdo anëtar i PD ka të drejtë të kandidojë dhe të ankimojë skualifikimin, por shtoi se procesi duhet të respektojë kriteret statutore dhe vendimet e organeve drejtuese.
“Ligjërisht çdo individ, duke qenë se është anëtar i PD, ka të drejtë të kandidojë apo të ankimojë skualifikimin e tij nga gara. Në dijeninë time, vendimmarrja për kriteret e garës është e datës 18 mars, pavarësisht se kur u bë publike. Nuk e di çfarë ka ndodhur me këtë vendim të Kryesisë së PD,” u shpreh ajo.
Sipas Kalasë, përveç statutit, edhe KOKOE ka vendosur kritere shtesë për kandidimin.
“Ajo që dua të theksoj është se kriteret për kandidim i përcakton statuti. Jo çdo njeri që ngrihet në mëngjes mund të thotë ‘do bëhem kryetar i PD’. Duhet të plotësohen kritere që lidhen me historikun, kontributin dhe meritokracinë,” tha ajo.
Duke folur për kandidatët e përjashtuar, përfshirë Ervin Salianjin, Alesia Balliun dhe Evi Kokalarin, Kalaja dha qëndrime të qarta.
Për Balliun, ajo tha se përjashtimi lidhet me shkeljen e kodit etik dhe afrimin me forca të tjera politike.
“Nëse shkel kodin e etikës, nuk mund të dalësh të shash partinë tënde, kryetarin, të shpifësh dhe më pas të kërkosh të kandidosh. Gjithashtu, një nga kushtet e përjashtimit është kur bën fushatë për një parti tjetër,” u shpreh Kalaja.
“Evi Kokalari ka zero kontribute. Që në 2021 kam ngritur zërin duke e konsideruar si ‘kalë Troje’, pa lidhje me PD.”
Ndërsa për Salianjin, Kalaja tha se do të kishte preferuar që ai të lejohej të kandidonte, por kritikoi mënyrën se si ai ka vepruar brenda partisë.
“Do ishte më mirë të ngrinte një fraksion brenda PD. Nëse do të niste me 15%, mund të fitonte më vonë shumicën. Po të ishte arsyetimi im do e lejoja Salianjin të kandidonte,” tha ajo.
Në përfundim, Kalaja bëri thirrje për respektimin e statutit të partisë dhe standardeve demokratike.
“Duke mbrojtur sot statutin e PD, nesër mbrojmë Kushtetutën e vendit. Kush ka shkelur statutin duhet të mbajë përgjegjësi,” u shpreh ajo.
