Shkodra u trondit sot nga një atentat që u mori jetën dy personave dhe la të plagosur dy të tjerë.

Autori i ngjarjes, Ragip Gila u arrestua vetëm pak minuta pas atentatit, ndërkohë që ishte arratisur nga vendngjarja me një automjet të cilën ia grabiti një qytetari. Nga të shtënat mëngjesin e kësaj të hëne humbën jetën Armando Pali dhe Liridon Kraja (Lushi). Të plagosur mbetën Erogen Vaso Brajoviq i cili dyshohet të ketë qenë shënjestra e atentatit dhe banakierja e lokalit ku ndodhi ngjarja Meri Kaceri.

BalkanWeb mëson se autori i masakrës, Ragip Gila është liruar nga Gjykata e Shkodrës vetëm në mars të 2025, me shërbim prove dhe lirim me kusht që për 5 vite të mos bëjë asnjë vepër penale.

“3. Në zbatim të nenit 59 të KP urdhërohet:

-pezullimi i ekzekutimit të dënimit me burgim.

-vënia në provë e të pandehurit Ragip Jonuz Gila për një periudhë kohe prej 5 (pesë) vjet, me kusht që gjatë kohës së provës ai të mos kryejë vepër tjetër penale.

-gjatë kohës së provës, i pandehuri Ragip Jonuz Gila të mbajë kontakte me Degën Territoriale të Shërbimit të Provës Shkodër.

4. Në zbatim të nenit 60, pikat 9 dhe 10 të KP, urdhërohet i pandehuri Ragip Jonuz Gila të mos shoqërohet me persona të dënuar dhe të mos zotërojë, mbajë apo përdorë armë.

5. Në referim të nenit 261/1/b dhe 389 të KPP, deklarohet shuarja e masës së sigurimit “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i KPP, caktuar me vendimin nr.746, datë 08.12.2023 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër ndaj të pandehurit Ragip Jonuz Gila dhe urdhërohet lirimi i menjëhershëm i tij nga dhomat e paraburgimit, nëse nuk mbahet për ndonjë arsye tjetër”, thuhet në vendimin e gjykatës.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb