Miratimi i ligjit të ri për mbrojtjen e konsumatorit nr. 116/2026 shënon një hap drejt përafrimit të legjislacionit shqiptar me standardet e Bashkimit Europian, por zbatimi i tij kërkon më shumë se ndryshime ligjore. Përfshirja e shoqërisë civile, konsultimi me organizatat dhe forcimi i mekanizmave institucionalë janë thelbësorë që të drejtat e konsumatorëve të mos mbeten vetëm në letër.
Ermelinda Muçaj, Oficere Projekti në Lëvizjen Europiane në Shqipëri (EMA), e ftuar në emisionin “Alert” në News24, foli për trajnimet, tryezat konsultative dhe rekomandimet e dhëna gjatë procesit të përafrimit të legjislacionit shqiptar me atë europian.
“Përveç trajtimit të risive ligjore, por edhe ankesave të konsumatorëve që janë shfaqur gjatë trajnimeve të organizuara, jemi fokusuar edhe te direktivat e reja që së fundmi janë implementuar në BE, me të cilat është përafruar edhe legjislacioni ynë” u shpreh Muçaj.
Ngritja e kapaciteteve të organizatave të shoqërisë civile, sipërmarrësve dhe individëve të angazhuar në mbrojtjen e konsumatorit ka qenë një prej drejtimeve kryesore të punës së EMA-s. Paralelisht, përmes tryezave konsultative është synuar që këta aktorë të kenë një rol më të madh në proceset vendimmarrëse.
Muçaj theksoi se diskutimet kanë përfshirë organizata të shoqërisë civile, akademikë dhe institucione përgjegjëse, me vëmendje të veçantë te Kapitulli 12 i negociatave me BE-në, që lidhet me sigurinë ushqimore, politikat veterinare dhe fitosanitare, si dhe përafrimin e paketës ligjore.
“Përveç ngritjes së kapaciteteve, kemi mbajtur tryeza në kuadër të platformave për integrimin në BE, e vetmja platformë ku organizatat e shoqërisë civile mund të marrin pjesë sipas fushës së ekspertizës që mbulojnë” tha ajo, duke përmendur diskutimet edhe për ligjin për kontrollet zyrtare dhe atë për kafshët.
Një nga çështjet kryesore të ngritura në këto konsultime është edhe mënyra se si do të funksionojë Agjencia e re për Mbrojtjen e Konsumatorit, e cila pritet të krijohet. Sipas Muçajt, kjo strukturë nuk duhet të jetë e mbyllur brenda administratës, por duhet të garantojë përfaqësimin dhe konsultimin e shoqërisë civile.
“Shoqëria civile është e rëndësishme të jetë e përfshirë. Agjencia që do të krijohet duhet të ketë një Këshill të përhershëm konsultativ, që vendimet të mos jenë vetëm në dorën e stafit, por edhe organizatat e shoqërisë civile të kenë një zë në vendimmarrje” deklaroi Muçaj.
Sipas propozimit të diskutuar, në këtë këshill parashikohet përfaqësimi i tre organizatave të shoqërisë civile dhe dy përfaqësuesve të agjencisë. Një mekanizëm i tillë synon të sigurojë konsultim të vazhdueshëm, mbikëqyrje dhe më shumë transparencë në vendimmarrje.
Risitë e ligjit, përgjegjësitë institucionale dhe sfidat e zbatimit të tij ishin gjithashtu në fokus të tryezës për Kapitullin 28, “Mbrojtja e Konsumatorit dhe Shëndetit”, organizuar nga Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA) dhe Qendra ALERT, në kuadër të Platformës së Partneritetit për Integrimin Europian dhe Konventës Kombëtare për Integrimin Europian.
