Për askënd në Tiranë viti 2006 nuk ishte më sfidues sesa për ata, themeluesit e Universitetit Europian të Tiranës. Ideja për një model europian edukimi, në një universitet të ri jopublik, ishte kthyer në projekt konkret. Dita-ditës ai merrte formë ndërsa i afrohej fillim vjeshtës. Më 20 shtator të 2006-ës Universiteti Europian i Tiranës u licencua dhe prej asaj dite filloi shkrimin e historisë.
Nisi me dy fakultete në shkencat humane, në ambientet e vogla të një pallati në Rrugën e Elbasanit dhe ndër vite njohu vetëm rritje dhe zhvillim. Në 2018-ën u shndërrua në një universitet polivalent. Me riorganizimin në pesë fakultete, ai mbulon edukimin në të gjitha fushat e zhvillimit njerëzor, nga shkencat humane te ato ekonomike, inxhninierike, mjekësore, e më tej në arte dhe sporte.
Me dhjetëra programe e profile studimi, mijëra të diplomuar dhe qindra projekte ndërkombëtare, Universiteti Europian i Tiranës ka marrë prej vitesh akreditimin ndërkombëtar nga agjencia britanike The Quality Assurance Agency for Higher Education. Historia dhe rekordet e tij pozitive kanë fituar, mbi të gjitha, besimin e të rinjve, të cilët e bënë në 2024 universitetin me numrin më të lartë të studentëve në sektorin e arsimit jopublik.
Historia e re e UET
Njëzet shtatori i 2025-ës e gjen Universitetin Europian të Tiranës në prag fillimin e vitit të tij të 20-të. E gjen me të njëjtën filozofi të ofrimit të edukimit me standarde europiane, por mbi të gjitha me një ndërmarrje ambicioze, ndërtimin e kampusit të ri universitar.
I shtrirë në një sipërfaqe prej 16 mijë metrash katrorë, kampusi do të ofrojë hapësirat dhe mundësitë e një edukimi bashkëkohor, të krahasueshëm me universitetet më të mira në botë. Drejtuesit më të lartë të UET, presidenti Selami Xhepa, rektorja Drita Kruja dhe administratori Tildi Çadri, zhvilluan një vizitë në kantier për të parë ecurinë e punimeve dhe për t’u njohur në terren me zbatimin e projektit, i cili spikat jo vetëm për funksionalitetin dhe hapësirat që ofron, por edhe për arkitekturën e veçantë.

Kampusi i UET është projektuar nga studioja e njohur spanjolle, Bofill Taller de Arquitectura, themeluesi i së cilës është Ricardo Bofill. I karakterizuar për stilin postmodern që sjell në ndërtesa, puna e tij pasqyrohet në disa shtete e kontinente, nga Spanja në Francë, Luksemburg, Çikago, Tokio, e së fundi në Shqipëri.
Prof. asoc. dr. Selami Xhepa u shpreh i kënaqur me ecurinë e punimeve, duke theksuar se së shpejti ky mjedis do të plotësojë më së miri të gjitha kërkesat profesionale të studentëve.
“Kampusi ka një sipërfaqe prej 16 mijë metrash katrorë. Do të jetë një strukturë moderne, e pajisur me gati 20 laboratorë për të gjithë disiplinat e programeve që universiteti ynë ofron, do të ketë mbi 35 auditorë, Aula Magna, do të ketë një palestër moderne, për të gjithë studentët që ndjekin studimet në disiplinat e sporteve. Do të jetë një kampus modern, i denjë për një universitet në shekullin XXI.”
Duke folur për fazën e ndërtimit, arkitekti Kristi Tashi shpjegoi se deri tani është ndërtuar 60% e kampusit, ndërsa pritet që gjithë struktura të përfundohet në fund të këtij viti, për të përshpejtuar kështu vendosjen e studentëve në ambientet e reja.
“Momentalisht është duke u ndërtuar palestra, sigurisht sipas çdo standardi dhe çdo kërkese që plotëson funksionet e kërkuara nga ju. Jemi në pritje të ndërtimit të sallës së auditorit, e cila do të jetë në formën e një teatri, e një auditori të mirëfilltë, dhe gjithashtu do ndërtohet edhe një bibliotekë me dy kate lartësi, dubleks, në mënyrë që të akomodojë gjithë studente që do të duan të lexojnë dhe studiojnë aty.”
Arkitekti sqaroi më tej, se kampusi është konceptuar në formë rrethore dhe lëvizja të jetë gjithmonë në perimetër, në mënyrë që të gjitha sallat të jenë të fokusuara në pjesën e oborrit të brendshëm. Kjo është një gjetje e studios për të ofruar qetësi dhe pamje vizuale në pamjet e brendshme dhe të gjelbërta të kampusit.
Përveç sallave të shumta të leksioneve dhe seminareve, kampusi do të ketë rreth 20 laboratorë dedikuar fushës së mjekësisë, inxhinierisë së ndërtimit, arkitekturës, informatikës dhe arteve. Po ashtu, përveç bibliotekës të shtrirë në dy kate, do të ketë sallë teatri, palestra dhe ambiente të përshtatshme për programet e sporteve, shoqëruar këto edhe me ambiente rekreative për studentët dhe stafin.
I pozicionuar në një zonë në zhvillim, kampusi i Universitetit Europian të Tiranës, i cili mbyll fazën e ndërtimit të strukturës në fund të këtij viti, do të jetë referenca e re në kryeqytet.
