Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka mbajtur fjalën e tij në seancën e sotme plenare të Kuvendit, duke akuzuar kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi, për njëanshmëri të theksuar në drejtimin e punimeve dhe për mungesë guximi përballë presionit të mazhorancës.
Në mungesë të kreut të grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi, Këlliçi deklaroi se po fliste në emër të grupit opozitar dhe kërkoi që procesverbali i seancës së kaluar të pasqyrojë saktësisht atë që ndodhi.
“Nuk është normale që për procesverbalin t’i jepni dy herë fjalën Taulant Ballës, kreut të grupit të PS-së. Nuk është normale të vetëposhtëroheni si një nëpunës i një ushtari të bandës së Elbasanit,” – tha Këlliçi me tone të forta, duke iu referuar Ballës dhe rolit të tij në seancë.
Deputeti demokrat akuzoi Peleshi se ka lejuar deformimin e procesverbalit dhe ka përjashtuar në mënyrë të padrejtë deputetët e opozitës nga fjala për procedurë dhe për sqarime mbi zhvillimet e seancës së kaluar.
“Nuk ka ndodhur kurrë në këtë sallë që drejtuesi të ketë frikë nga fjala e opozitës për procedurë dhe për procesverbal. Për këto nuk i jepni fjalën deputetëve. Ku është problemi që deputetët e opozitës kërkojnë fjalën për të pasqyruar atë që realisht ndodhi?” shtoi Këlliçi.
Ai i kërkoi kryetarit të Kuvendit që të “ngrihet në lartësinë e detyrës” dhe të mos lejojë që drejtimi i seancës të kontrollohet nga kryetari i grupit parlamentar të PS-së.
“Jeni ju që e drejtoni seancën, jo kreu i grupit të PS, Balla. Është detyra juaj të siguroni barazi dhe transparencë në këtë sallë,” theksoi Këlliçi.
