Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Fatbardh Kadilli, ka komentuar situatën brenda PD-së dhe garën për kryetar të partisë, ku Sali Berisha mbetet kandidati i vetëm pas mospranimit të kandidatëve të tjerë.

I ftuar në programin e drekës në News24, Kadilli deklaroi se Partia Demokratike po kalon një krizë të thellë me vetveten dhe se sot nuk mund të flitet për një proces të mirëfilltë politik brenda saj.

“Sot nuk mund të ketë proces politik në PD kur në lojë është zoti Berisha. Jo për kapacitetet e tij politike të sotme, por sepse PD është grumbulluar rreth tij”, u shpreh Kadilli.

Ai theksoi se në parti nuk ka më hapësirë për mendime apo profile të ndryshme politike, ndërsa shtoi se pjesa më e madhe e anëtarëve janë të lidhur politikisht me Berishën. “Ata janë aty për Berishën dhe nga Berisha”, deklaroi ai.

Kadilli kritikoi gjithashtu pengimin e kandidatëve të tjerë për të hyrë në garë, duke theksuar se askush brenda PD-së nuk e ka rrezikuar realisht Berishën.

Ai e krahasoi situatën në parti me një “oborr mbretëror”, duke shtuar se “kush guxon të bëjë garë me mbretin, trajtohet si klouni i mbretit”.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb