Një i burgosur i identifikuar si Bledar Selmanaj ka tentuar të arratiset nga Burgu i Fierit. Ngjarja ka ndodhur të mërkurën, ku burime për News24 bëjnë me dije se Selmanaj ka mbështjellë duart me peshqir dhe çarçafë, ka goditur murin e qelisë në katin e parë, duke hapur një të çarë në të. Pas kësaj ai ka dalë në oborrin e burgut dhe është ngjitur në tarracë nëpërmjet tubave të kullimit. Selmanaj kishte një litar me të cilin do të zbriste duke vazhduar arratisjen, por stafi i sigurisë së burgut ka arritur ta kapë, duke e dërguar jo në qeli të zakonshme, por në izolim.
I dënuar për vrasjen e 25-vjeçarit Xhulian Bullari në gusht të 2021 në Babicë të Vlorës, Bledar Selmanaj është në pritje të dënimit, ku prokuroria ka kërkuar dënim të përjetshëm.
Në shtator të 2021 ka tentuar të vetëvritet teksa vuante dënimin në Burgun e Peqinit, por u pikas nga gardianët, pa mundur ta finalizojë aktin ekstrem. Po në dhjetor të 2021 Selmanaj ka tentuar të arratiset nga spitali i burgut në Tiranë, ku ishte për mjekim. Pas kësaj Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Klevis Qose zhvilloi një inspektim në Burgun e Fierit, ndërsa Selmanajt do t’i shtohet dënimi pas tentativës së radhës për arratisje.
