Denisa Kele, pedagoge në Fakultetin e Teknologjisë Informacionit dhe Inovacionit në Universitetin “Luarasi”, në ceremoninë e nisjes së vitit të ri akademik, ka uruar studentët për rrugëtimin e ri të nisur sot.

Në një kohë kur teknologjia po ndryshon çdo aspekt të jetës sonë, Kele u shpreh se qëllimi i Universitetit “Luarasi” është të mësojë studentët të drejtojnë ndryshimin.

“Mirë se erdhët në një tjetër vit të bukur në Universitetin “Luarasi”, aty ku dijes i jepet shpirt, ku bashkëpunimi lind ide të reja dhe ku ëndrrat gjejnë krahë për të fluturuar”, tha ajo.

Fjala e plotë:
Universiteti është një udhëtim ku njeriu përballet me veten, me frikërat dhe mundësitë që ndodhen përtej tyre. Në këtë rrugëtim do të keni ditë të lehta e të vështira, suksese e sfida, por çdo hap do të jetë pjesë e rritjes suaj. Ju jeni gjenerata që do të formësoni të ardhmen, një e ardhme që kërkon guxim kreativitet dhe bashkëpunim. Në një kohë kur teknologjia po ndryshon çdo aspekt të jetës sonë, roli juaj nuk është thjeshtë të ndiqni ndryshimin, por ta drejtoni atë.

Në “Luarasi” duam t’ju mësojmë të mos keni frikë nga e reja, të shihni përtej kufijve të krijoni të inovoni dhe mendoni globalisht por me zemër të lidhur fort me këtë vend. Duam të dilni nga ky universitet me vetëdijen se dijet kanë kuptim vetëm kur përdoren për të bërë mirë, për të ndihmuar të tjerët, përmirësuar shoqërinë, për të sjellë dritë aty ku mungon.

Kolegë të nderuar, faleminderit për përkushtimin dhe pasionin me të cilën çdo ditë e ktheni dijen në frymëzim. Bashkë krijojmë një rrjet mësuesish studentësh dhe mentorësh që ndikojnë në jetët reale të çdo studenti që ulet sot në auditor.

Uroj që ky vit të jetë i mbushur me dije, miqësi, bashkëpunim dhe sfida të bukura dhe suksese që lindin nga përpjekja e sinqertë. Çdo arritje e madhe nis me një hap të vogël. Sot ju e keni bërë pikërisht atë.

Mirë se erdhët në një tjetër vit të bukur në Universitetin “Luarasi”, aty ku dijes i jepet shpirt, ku bashkëpunimi lind ide të reja dhe ku ëndrrat gjejnë krahë për të fluturuar.Faleminderit të gjithëve.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb