Gazetari dhe analisti Ben Andoni komentoi zhvillimet e fundit politike gjatë një interviste në News24, duke u ndalur te protesta e fundit e Partia Demokratike dhe ndikimi i saj. Sipas Andonit, protesta ishte larg pritshmërive dhe nuk arriti të prodhojë efektin e synuar. Ai theksoi se me këtë nivel presioni dhe energjie, opozita e ka të vështirë të përmbushë objektivat e saj politike.
Analisti vlerësoi se PD duhet mbështetur si alternativë, por shtoi se ajo ende nuk po arrin të sjellë ndryshimin e kërkuar dhe nuk po komunikon qartë mesazhet e saj, çka sipas tij ka sjellë zhgënjim te publiku. Duke folur për mazhorancën, Andoni u shpreh se Partia Socialiste e Shqipërisë ndodhet në një moment të vështirë, me kredibilitet të ulët në mandatin e katërt dhe me një administratë që, sipas tij, nuk po e çon përpara zhvillimin e vendit.
Ai theksoi se Shqipëria ndodhet në një fazë të rëndësishme të procesit të integrimit europian dhe se përgjegjësi për situatën aktuale mban edhe vetë opozita, për shkak të qëndrimeve të forta refuzuese ndaj çdo nisme të mazhorancës.
Në këtë kuadër, Andoni sugjeroi që opozita të shmangë retorikën e ashpër dhe të jetë më institucionale në raport me partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht në Bruksel, duke përmendur si shembull Jorida Tabaku për qasjen e saj më të moderuar. Ai kritikoi gjithashtu deklaratat që e paraqesin Shqipërinë si “narko-shtet”, duke theksuar se një diskurs i tillë dëmton imazhin e vendit. Nga ana tjetër, sipas tij, edhe kryeministri Edi Rama ka pasur qëndrime të skajshme në daljet e tij në Bashkimin Europian. Andoni përmendi edhe çështje të politikës së jashtme, duke vlerësuar se disa veprime diplomatike, si vizitat dhe deklaratat ndërkombëtare, nuk kanë qenë gjithmonë në kohën dhe kontekstin e duhur.
“Protesta e fundit e PD ishte larg pritshmërive. Me këtë presion dhe energji e ka të pamundur të plotësojë objektivat. Ka një problem me formësimin e protestave. Thotë se ka bërë 7 protesta kombëtare, por më shumë dukej si demonstrim. PD është për tu përkrahur, por nuk po bën dot ndryshimin dhe nuk po kujdeset për mesazhet e saj. Ndaj publiku ka një zhgënjim, nëse ka mundësi që të jëtë ndryshimin apo jo. PS është jo vetëm me vështirësi, në kreditetet më të ulëta të saj të mandatit të saj të 4, por po tregon se ka një administratë që nuk e vijon dot zhvillimin e vendit. Shqipëria është në momentin e fundit të mbylljes së kapitujve. Këtu ka faj dhe vetë PD, që theksoi se nuk do të pranonte asgjë nga PS-ja. Edhe PD-ja nuk duhet të bëhet më shumë toksike, por të jetë institucionale dhe në Bruksel. Si psh zonja Tabaku. Ajo ka folur drejtë. Pastaj është një pjesë tjetër që e paraqet vendin si narko-shtet. Sot zoti Rama në shfaqet e tij në BE është skajor. BE nuk e ka përtypur kaq lehtë rendjen e Shqipërisë në bordin e Paqes. Mund të ishte më e matur në deklaratat e saj Shqipëria. U bënë në kohën dhe vendin e gabuar, siç është vizita e Ramës në Izrael.”, tha ai.
