“Ata që do të dënojnë nipin tim, do të përballen me këtë gjë. Ata gjyqtarë që do të dënojnë nipin, do të përballen me të njëjtën gjë (vrasje) me plumba”.

Kjo ka qenë fjalia që ka çuar drejt arrestimit të xhaxhait të  Elvis Shkambit, autor i vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja, ngjarje e ndodhur ditën e djeshme në Gjykatën e Apelit.

Pak më parë BalkanWeb solli edhe deklaratën e Gjovalin Shkambit, i cili u shpreh pa asnjë pendesë për ngjarjen e rëndë, ndërsa shtoi se kushdo që dënon nipin do të “hajë plumba njëlloj si Astrit Kalaja në sallë n e gjyqit”.

“Kur të dënojnë atë djalë, në sallë të gjyqit me plumba do të gjykohet. Se më ka prerë në besë shteti. Ia kam blerë shtetit. Nuk ka gjyqtar që e dënon. Do t’i hanë plumbat sikur i hëngri Astrit Kalaja!”, tha ai.

NJOFTIMI I POLICISE
Dha deklarata kanosëse, në media, kundrejt përfaqësuesve të sistemit gjyqësor, vihet në pranga 49-vjeçari. Menjëherë pas deklaratave kanosëse të bëra në media nga shtetasi Gj. Sh., 49 vjeç, Sektori i Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me shërbimet e Njësisë Rajonale të Antiterrorit Shkodër dhe me mbështetjen e shërbimeve të Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Shkodër, kapën dhe shoqëruan në Komisariat 49 vjeçarin.

Në vijim të veprimeve procedurale, të drejtuara nga Prokuroria e Shkodrës, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Gj. Sh., 49 vjeç, banues në Shkodër. Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Kanosja e gjyqtarit” dhe “Kanosja për kryerjen e veprave me qëllime terroriste.”

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb