Ditët e fundit, portali Memorie.al riktheu në qarkullim diskutimin e Enver Hoxhës në Byronë Politike (shtator 1966) me titullin programatik: “Veprimtaria e gjykatave tona varet nga Partia dhe Populli”.

Për këdo që jeton sot me retorikën e “reformës në drejtësi”, leximi është i ftohtë si dush: jo se na mëson diçka të re, por sepse na detyron të pyesim nëse kemi “larë” të shkuarën me emrin e duhur, apo thjesht i kemi ndryshuar pankartën.

Dhe kur në këtë atmosferë ndodh arrestimi i një avokati – Av. Bajramit – për qëndrimet e tij në sallën e gjyqit, kujtesa historike pushon së qeni luks dhe kthehet në sirenë alarmi.

Hoxha shpalos pa ekuivoke një doktrinë të centralizuar të drejtësisë. Gjykatat, sipas tij, nuk janë thjesht organe që zbatojnë ligjin; ato janë instrumente të linjës politike: “Gjykatat në rrethe e në bazë nuk janë të pavarura nga vija e Partisë.” Kjo fjali, e shkëputur nga viti 1966, do të duhej të tingëllonte e huaj sot. Por a tingëllon vërtet e huaj, kur një fjalim i avokatit në sallë shndërrohet në arsye prangash?

Çfarë është kjo, nëse jo rikthim i idesë se fjala mbrojtëse duhet të përshtatet me “opinionin e Partisë” – sot të përkthyer si presioni i moralizuar publik, “pritshmëritë e reformës”, ose “interesi i luftës kundër krimit”? Hoxha e artikulon me qetësi inxhinierike përbuzjen institucionale ndaj pavarësisë gjyqësore: “Nuk mund të mendohet kurrë që gjykatat tona… të mos influencohen nga opinioni i Partisë… mbi të gjitha, zëri i Partisë.”

Në gjuhën e shtetit të së drejtës, kjo është shprehja e kundërt e asaj që duhet të jemi. Por për paradoks, shumë prej sloganeve të sotme – “sensibiliteti shoqëror ndaj krimit”, “pritshmëritë e publikut për dënime shembullore”, “lufta pa kompromis” – rishfaqin të njëjtin ankorrim: jo tek standardet, por tek opinionet. Aty ku ligji kërkon prova, barazi armësh dhe gjykim të paanshëm, politika kërkon mesazhe, shembuj, shpejtësi. Rezultati? Sallat e gjyqit kthehen në skenografi; avokati nga garant i të drejtës së mbrojtjes, në pengesë të “rrëfimit zyrtar”.

Më therëse ende është pjesa e fjalimit për avokatinë. Hoxha pyet retorikisht: “Kë mbron avokati te ne?” dhe vijon me refrenin famëkeq: “Kemi qenë të mendimit që ky institut të suprimohej.” Mbrojtja profesionale shihet si relike borgjeze, e panevojshme në një rend ku gjykata – si “organ revolucionar” – paska dhe rolin e prokurorit, edhe të mbrojtësit.

Thjeshtimi brutal: kur ideologjia pretendon se
garanton drejtësi, e drejta e mbrojtjes shpallet tepri. Ironia e zymtë është se sot, nën parrullën e reformës, qasja ndaj avokatit shpesh rrëshqet drejt së njëjtës dyshimësi: ai që kërkon prova, që kundërshton, që shkon në themel të procedurës, etiketohet “pengues”, “i lidhur”, “sabotor”. Dhe kur ky etiketonim kurorëzohet me pranga – si në rastin e Av. Bajramit – atëherë kujtojmë pse nuk suprimohet dot avokatia: sepse pa të, shteti nuk dëgjon më zërin e qytetarit, por vetëm jehonën e vet.

Hoxha e dizajnon edhe arkitekturën e ndërhyrjes politike: “Gjykatësin… mund ta thërresë sekretari i Partisë, apo kryetari i komitetit ekzekutiv të rrethit… t’i shpjegojë… cili është opinioni i Partisë.” Në 2025 nuk kemi sekretarë rrethi, por kemi struktura të tjera, statuse rrjetesh, konferenca shtypi, “qarkore” të pashkruara që krijojnë klimë presioni. Ndryshon kostumi, jo logjika: sa herë që pushteti ekzekutiv (ose ai mediatik) përzihet me motivimin penal, pavarësia shndërrohet në dekor.

Drejtësia nuk duhet të jetë anti-shoqërore; por as nuk mund të jetë notere e zemërimit të ditës. Të gjitha këto do të ishin një ushtrim i thatë krahasimi, po të mos kishim përpara pasojat konkrete të “reformës”: procese të zgjatura pa fund; hierarki të centralizuara dhe të ngurtësuara; hetime të forta në fasadë, por të brishta në provë; një debat publik që e ngatërron ashpërsinë me ligjshmërinë. Po, reforma ka sjellë instrumente, struktura, fonde, trajnime. Por mjeti pa kulturë institucionale është si çekani në duar të gabuara: jep tingull, jo muzikë. Dhe kur tingulli shoqërohet me pranga për fjalën mbrojtëse, atëherë i kemi borxh vetes këtë pyetje: a kemi ndërtuar një drejtësi më të aftë të përballet me provën, apo thjesht një aparat më të aftë të projektojë forcë? Ndoshta ky është momenti kur duhet lexuar, me sarkazëm por edhe me kthjelltësi, kjo perla e 1966-s: “Pavarësia e
gjykatave nuk do të thotë pavarësi nga populli dhe nga Partia.”

Në të drejtën bashkëkohore, pavarësia do të thotë
pikërisht pavarësi nga pushtetet, për t’i shërbyer popullit duke iu përmbajtur ligjit. Populli nuk është turmë, as profil “opinion publik” në prime-time; është subjekti i të drejtave që mbrohen përmes procedurës së rregullt ligjore. Që një i pandehur ta ndiejë vërtet shtetin si të vetin, ai duhet të ketë avokatin e vet, jo “gjykatën e mirë”, jo “prokurorin e vendosur”. Një shtet i së drejtës nuk varet nga virtyti i zyrtarit; varet nga kufizimi i tij. Arrestimi i një avokati për atë që thotë në sallë është simptomë – jo episod. Është prova e provave se kultura e procesit penal po tretet nën hijen e spektaklit. Hoxha tallej me “pyllin e ligjeve” borgjeze, duke premtuar thjeshtësi revolucionare. Ne sot kemi rrezikun e kundërt: pyllin e narrativave që mbysin ligjin.

Çdo histori “pa kompromis” ndaj krimit duhet të kalojë provimin e pavarësisë gjyqësore, të barazisë së armëve, të së drejtës për mbrojtje. Pa këto, “suksesi” penal është statistikë – jo drejtësi. Ç’duhet bërë? Jo slogane të reja, as akte spektakli. Pesë korrektive minimale, që ndajnë përfundimisht 1966-ën nga 2025-a:

1. Imunitet funksional i fjalës së avokatit në sallë – i qartë, i pazgjidhshëm, i mbrojtur nga çdo ndërhyrje penale përveç rasteve krejtësisht ekstreme (dhunë, kërcënim real, fyerje flagrante të trupit gjykues).

2. Gjykata që garanton ligjin ne gjyqit – jo thjesht rendin, por edhe lirinë e kontradiktës: refuzim sistematik i çdo presioni ekzekutiv apo publik që kërkon “mesazhe” nga vendimet.

3. Barazi reale armësh – akses në prova, afate të
arsyeshme, sanksione ndaj abuzimit procedural;
“efikasiteti” i hetimit nuk blihet me varfërimin e mbrojtjes.

4. Llogaridhënie pa spektakël, raportim me tregues
cilësorë (sa vendime rezistojnë në shkallë më të larta, sa prova përballojnë kundërshtimin), jo me kronika arrestimesh.

5. Autonomi e vërtetë e avokatisë – jo dekor korporativ; vetërregullim, standarde etike të forta, dhe një zë institucional që nuk bëhet palë me asnjë pushtet.

Le të mbyllim, po me Hoxhën, për ta vendosur në vendin e vet. Ai thoshte: “Këta [avokatët]… përpiqen ta nxjerrin të pafajshëm.” Në një shtet total, kjo është herezi. Në një shtet të së drejtës, kjo është detyra: të vërë në provë akuzën, të mbrojë procedurën, të ruajë njeriun nga gabimi i pushtetit.

Nëse kjo bëhet e rrezikshme, atëherë nuk jemi në “reformë drejtësie”, por në reformim të së njëjtës logjikë të vjetër – të asaj që e ndajmë me fjalë, por e riprodhojmë në praktikë.

Arrestimi i Av. Bajramit nuk është thjesht një lajm i keq; është një pasqyrë. Ajo na tregon se sa larg kemi ecur nga viti 1966 – dhe sa shpejt mund të kthehemi aty, nëse harrojmë se drejtësia nuk i shërben Partisë, as reformës, as publikut të mbrëmjes. Ajo i shërben ligjit – dhe ligji, pa një avokat të lirë të flasë, është veçse një parullë e bukur mbi një derë të mbyllur.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb