Përveç hendekut ekonomik dhe atij të funksionimit të institucioneve të shtetit të së drejtës, një tjetër humnerë ndan Shqipërinë nga Europa. Lajmi më i komentuar sot në Francë, ai i futjes aq mediatike në burg të ish-Presidentit Nicolas Sarkozy, e vë Shqipërinë përpara një mungese radikale të debatit mbi etikën juridike.

Paralelizmi është i tmerrshëm në këtë pikë: nga njëra anë në Francë polemikohet sesi burgoset një njeri, për më tepër një ish-president, që megjithatë është gjykuar dhe dënuar me 5 vjet burg. Nga ana tjetër, një heshtje absolute në Shqipëri, që nga Beleri te Veliaj, duke kaluar nga Berisha apo Meta, të gjithë të burgosur jo pas dënimit, por bile edhe para gjykimit! Ku janë intelektualët, juristët, gazetarët, avokatët, profesorët e drejtësisë dhe politikanët që do të guxojnë më në fund të hapin debat mbi parimin e shenjtë të prezumimit të pafajësisë?

Sigurisht, e hapi këtë debat Rama dhe kampi i tij socialist, por vetëm për “tyrin” Veliajn dhe vetëm pasi u kënaqën për fatin e dy ish-presidentëve dhe të një ish-kryebashkiaku. Sigurisht, e hapi këtë debat edhe kampi opozitar, por vetëm për të tyrët, duke u kënaqur edhe ata me fatin e Veliajt. Ky nuk quhet debat në emër të etikës juridike, por luftë politike partizane.

Krejt ndryshe po ndodh në Francë. Sot edhe vetë presidenti Emmanuel Macron, garant i mirëfunksionimit të drejtësisë, pa bërë asnjë koment mbi çuarjen në burg të Sarkozisë, e quajti mëse normale që po zhvillohet debat nëse duhet rishikuar apo jo ligji mbi ekzekutimin provizor të dënimit. Është ky ligj që të çon në burg menjëherë pas dënimit në shkallën e parë me më shumë se dy vjet burg, pa pritur që i pandehuri të bëjë apelim. Ky ligj i Francës bie në kundërshtim me prezumimin e pafajësisë, që do të thotë se askush nuk mund të shpallet fajtor, dhe aq më pak të dënohet, nëse nuk ka një vendim gjyqësor përfundimtar dhe të formës së prerë. Pra, askush s’mund të dënohet pa pritur të gjitha apelimet e mundshme.

Për Nicolas Sarkozinë, ashtu si për Marine Le Pen, ky parim i shenjtë nuk u respektua, jo sepse gjykatësit i kishin inat dhe abuzuan, por sepse i tillë është ligji aktual francez. Përveç politikanëve, ky ligj çon në burg sot mbi 80% të të gjykuarve në shkallë të parë dhe shërben për të izoluar kështu terroristë dhe narkotrafikantë. Nëse bëhet një lehtësim i këtij ligji, përtej politikanëve rrezikojnë të përfitojnë edhe të dënuar të tjerë shumë herë më të rrezikshëm. Prandaj ka debat në Francë se si të kombinohet dënimi i menjëhershëm me prezumimin e pafajësisë.

Në Shqipëri nuk ka debat as sesi mund të mbahet aq gjatë në burg një person ende i pagjykuar. Për më tepër, klasa politike franceze votoi unanimisht më 2016 një ashpërsim të këtij ligji të dënimit të menjëhershëm pas vendimit në shkallë të parë, në emër të rikthimit të besimit të publikut te klasa politike. Nëse debati hapet sot, është sepse ky ligj i Republikës Franceze po bëhet mediatik për shkak të dënimit të Sarkozisë me burg menjëherë, dhe për shkak të dënimit menjëherë të Marine Le Pen që të mos jetë kandidate për presidente më 2027.

Donald Trump, për shembull, ashtu si Sarkozy, u shpall në verën e vitit 2024 fajtor në shkallën e parë, por nuk ekzekutoi asnjë dënim sepse kishte të drejtë të bënte apelim dhe duhej pritur apelimi përpara ekzekutimit të dënimit. Në Francë kjo nuk qe e mundur për Sarkozinë për shkak të legjislacionit francez, ndaj dhe debati publik në Francë është nëse duhet ndryshuar apo jo ligji.

Edhe një herë, sa larg është Shqipëria nga këto debate. Të imagjinojmë një çast çfarë do të kishte ndodhur në demokracitë perëndimore sikur Sarkozy apo Trump të ishin futur në burg si Meta, apo si Veliaj, apo në arrest shtëpie si Berisha – që në momentin e hetimit, pa pritur fare jo dënimin, por as gjykimin!

Ajo që ndodh sot në Shqipëri me burgosjen preventive të politikanëve pa asnjë gjykim nuk ndodh askund tjetër. As mungesa e debatit po ashtu nuk ndodh gjëkundi si në Shqipëri. Të shpresojmë që 30-vjetori i kremtimit të bashkëpunimit të Shqipërisë me Komisionin e Venecias do të sjellë një erë ndryshimesh, të paktën në debatin publik, që ta kemi sa më të depolitizuar dhe jopasionant.

Debati duhet të nisë, së paku, nga pyetja sesi në Shqipëri një ish-president arrestohet si terrorist, ndërsa në Francë ai shoqërohet në burg si të ishte duke shkuar në Pallatin e Elizesë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb