Teksa pak ditë më parë u përplasën në distancë në lidhje me një protestë që u zhvillua në Tiranë për ish-liderët e UÇK-së, kryeministri Edi Rama është takuar më homologun e tij të Kosovës, Albin Kurti.
Kryeministri shqiptar shfaqet afër Kurtit, në një pritje për udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor në prag të Samitit të Procesit të Berlinit, që u mbajt dje në Londër.
Në pamjet shihet dhe mbreti Charles i Britanisë së Madhe, që takohet me Ramën dhe Kurtin, e më pas edhe me liderët e tjerë të Ballkanit Perëndimor.
Në këtë samit marrin pjesë liderët e Shqipërisë, Kosovës, Serbisë, Malit të Zi, Bosnje-Hercegovinës dhe Maqedonisë së Veriut, si edhe përfaqësues të vendeve të BE-së dhe të Britanisë së Madhe, e cila këtë vit ka kryesinë e procesit.
Për herë të parë në këtë format merr pjesë dhe kancelari gjerman Friedrich Merz. Qeveria gjermane e konsideron Procesin e Berlinit si një “histori suksesi”, thuhet në një njoftim zyrtar në prag të samitit të Londrës. “Qeveria gjermane do ta vazhdojë këtë proces si pjesë e angazhimit të saj për Ballkanin Perëndimor – një rajon me rëndësi strategjike për Evropën”, thuhet në njoftim.
