Me portretet e diktatorit që zënë pamjen po aq sa frymën, një grua me emrin Aura vihet në qendër të ekranit. E ulur në një kolltuk me të cilin lidh jetën e paranojat e saj, të shkuarën dhe e tashmen e Shqipërisë, periudhën komuniste me të tashmen konspirative.
Me skenar e regji të Enxhi Ristos, filmi “Kolltuku” shpërfaq një shoqëri pasigurish, ku brezat jetojnë mes nostalgjisë mbi të shkuarën ku kanë qenë të shtypur e të palirë, me frikën e izolimin e së tashmes ku paranojat kanë rimarrë formë përmes metodave të reja.
Një burrë, një grua, e bija dhe një shoqëri që nuk mësoi të bëjë drejtësi takohen në një film të prodhuar nga “Erafilm” në bashkëpunim mes Shqipërisë e Rumanisë. Regjisorja tregon punën me Zamira Kitën, Romir Zallën, Niko Kanxherin e Naun Shundin në filmin e tij të fundit, ku interpretoi i sëmurë.
Filmi që pati premierën në Tiranë ndjek një fatin e një kolltuku, që simbolizon në shtresëzime leximesh mënyrat se si lidhemi me sistemet, vendet e frikërat përmes fijesh të padukshme, që na komandojnë pavarësisht se çfarë fshehin në brendi, e do vijojnë ta bëjnë derisa t’i shkatërrojmë në mënyrë të dhunshme për t’u çliruar prej tyre.
