Sërish probleme në aksin kombëtar Librazhd-Prrenjas. Si pasojë e motit të keq, me rrebeshe shiu, ka pasur shembje masive dheu, që kanë përfunduar në rrugë.
Bëhet fjalë për masive dheu ku po punohet për Korridorin e VIII. Segmenti pranë zonës së Kthesave të Dragostunjës është i bllokuar, duke shkaktuar radhë të gjata automjetesh në të dyja drejtimet e rrugës.
Dhjetëra drejtues mjetesh dhe familje që udhëtonin në këtë aks kanë mbetur të bllokuar për shkak të vështirësive në qarkullim, ndërsa situata vijon të mbetet problematike si pasojë e kushteve të këqija atmosferike.
Drejtuesit presin normalizimin e situatës dhe ndërhyrjen për zhbllokimin e rrugës. Autoritetet e policisë rrugore u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal gjatë lëvizjes dhe të shmangin, nëse është e mundur, qarkullimin në këtë aks deri në përmirësimin e motit dhe rikthimin e normalitetit në trafik.
