“…sigurisht metoda e realizmit socialist ishte pak akademike, lakonike dhe e detyrueshme, por atje (në-ish BRSS) nuk ndjehej si e ndjemë ne ‘në të gjitha dimensionet’ në Shqipëri (kur u kthyem). Duke qenë një vend i madh e me tradita në art e kulturë, në ish-BRSS kishte dhe pikturë zyrtare tradicionale por edhe më të lirshme…” (nga biseda në studion e piktorit Kilica, më 24.02.2007).
Të enjten më 7 korrik 2016 rreth orës 20:30 është shuar në moshën 84-vjeçare artisti dhe “Piktorit i Popullit” Vilson Kilica. Dje, ai u përcoll për në banesën e fundit, në drekë në heshtje e pa bujë.
Pjesë e brezit të piktorëve shqiptarë që studiuan në Akademitë Lindore, ai është një nga themeluesit dhe dekani i parë i Institutit të Arteve në Shqipëri – sot Universiteti i Arteve.
Kilica ishte një nga ish-studentët shqiptarë që mbaruan studimet e plota me rezultate të shkëlqyera për pikturë në Institutin e Arteve “I.E.Rjepin” në Shën Peterburg (1952 –58), thotë Ylli Drishti, studiues e kurator. Studimet e mesme për pikturë Vilson Kilica i kreu në Liceun Artistik “Jordan Misja” nën drejtimin e pedagogut Sadik Kaceli.
“Studimet në Institutin e Lartë të Arteve – kujton Kilica – zhvilloheshin në një ndërtesë madhështore të ndërtuar më 1757 për artistët dhe atelietë tona ishin mjaft komode e me dritare të mëdha me drejtim nga veriu”. Ai shtonte se ishte i pari student shqiptar që u miratua nga drejtuesit e institutit të ishte një nga studentët e ateliesë së profesorit B.V.Joganson, një nga figurat e rëndësishme të artit të realizmit socialist sovjetik që ishte njëkohësisht edhe drejtor i muzeut “TRETJAKOV” në Moskë. Drishti shton se më vonë në këtë atelie kanë studiuar Sali Shijaku dhe Zef Shoshi.
Programi në këtë shkollë arti ishte akademik e synonte përgatitjen e artistëve në “kopjimin e realitetit” dhe modelimin, duke zbuluar dhe analizuar çdo detaj të objekteve dhe personazheve – modele si detyra shkollore. Por ish-studentët e Shën Petërburgut kishin fatin të kishin si “konsulentë të vazhdueshëm” gjatë viteve studentore veprat e Leonardos, Rafaelit, Peruginos, Caravaggios, Correggios, Tizianit,Veroneses, El Grekos, Rubensit, Velaskes-it, Rembrand-it, Mone-së, Cesann-it, Pissarro, Picasso-s, Matiss-it, Kandinski-t etj, që ndodheshin në sallat e Ermitazhit (një prej muzeve më të mëdhenj të botës).
“I ardhur nga një shtet i vogël dhe i varfër si Shqipëria e pas luftës së dytë botërore, (ku akoma nuk ishte çelur muzeu i parë i artit), Kilica qëndronte me orë të tëra para kryeveprave botërore të artit klasik italian e më vonë gjithmonë vizitonte dhe admironte pavijonin e impresionistëve dhe postimpresionistëve francezë që e ndihmonin për tu çliruar sadopak në penelata dhe në kolorit në realizimin e punëve me kërkesa shkollore”, shkruan Drishti.
Me kthimin në Tiranë piktori Vilson Kilica do të ishte dhe drejtori i parë i Institutit të Arteve Figurative, më tej drejtori Institutit të Lartë të Arteve dhe udhëheqës artistik i ateliesë së pikturës së kavaletit dhe asaj monumentale.
Veprat
Në krijimtarinë e tij të gjatë mbi 50-vjeçare piktori Vilson Kilica ka realizuar tema historike dhe aktuale, portrete, peizazhe dhe natyra të qeta. Duke qenë se brezi i tyre si artistë në vitet 1960 – 90 trajtoi më gjerësisht tablonë kompozicionale dhe si rezultat i një censure dhe autocensure të rreptë, në veprat e Kilicës, që janë pjesa më e madhe e metodës së realizmit socialist, vihen re mjaft të zbehta ndikimet e artit europian perëndimor. Në disa nga veprat e tij ndjehet prirja drejt një dekorativiteti të njollave, por brenda imazhit konkret (“Gjyqi i Sinjës”- 1978).
Më evidente këto preferenca piktorike piktori i ka shprehur veçanërisht në realizimin e disa portreteve, por edhe në peizazhet para viteve ‘90, por më evidente ato janë veçanërisht pas viteve ‘90, ku artisti tashmë i çliruar, krijon situata piktorike personale dekorative herë të intonuara e herë – herë me theks grafik. Duke pasur një formim akademik të fortë, kulturë e formim artistik në vazhdimësi, një eksperiencë dhe realizime tablosh nga dimensionet më të mëdha (si bashkautor i mozaikut në MHK – 400 M2) deri tek tablotë e zhanrit Kilica ka krijuar koleksionin e madh të tablove historike – politike të artit të realizmit shqiptar dhe të realizmit socialist, por edhe vepra të tjera me kërkesa më formaliste e dekorative që sidoqoftë nuk i largohen imazhit real.
“Piktori i Popullit” Vilson Kilica i përket brezit të nderuar të artistëve të artit shqiptar të gjysmës së dytë të shekullit të XX. Në Galerinë Kombëtare të Arteve, ndodhen 40 vepra të piktorit të viteve 1960-1989. Veprat janë pjesë e linjës aktuale muzeale të GKA.
(m.k/GSH/BalkanWeb)
