Emisioni investigativ Vetting

Më 23 tetor 2025, emisioni “Vetting” publikoi problemet dhe shkeljet që rëndojnë mbi administratën tatimore, shkeljet të cilat raportohen nga Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar. Në këtë material u ekspozua fakti se Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Binaj e ka ushtruar dhe e ushtron detyrën publike në konflikt të pastër interesi dhe në shkelje të disa ligjeve. Kjo pasi babai i kryetatimorit Binaj, Agim Binaj zotëron dy kompani auditimi, ndërkohë ligji i ndalon që familjarët e drejtuesit të tatimeve të kenë kompani auditimi.

Por këto fakte nuk u pritën mirë nga Agim Binaj, i cili kontaktoi njërin nga personat që folën për problemet që kishte Administrata Tatimore dhe konfliktet e interesit. Ky person do të ishte avokati Muharrem Doku, i cili ka punuar si drejtor auditi te tatimet.

Bisedë e shkëputur nga kamera e fshehtë 1, takim midis babait të kryetatimorit Binaj, Agim Binaj dhe avokatit Muharrem Doku

AV. MUHARREM DOKU: Edhe njëherë unë po të them, e di se çfarë kam thënë. Bile do ta dish edhe këtë tjetrën? Do të ketë edhe një emision tjetër, ndoshta të hapur.

AGIM BINAJ:

AV. MUHARREM DOKU: Kam dy vjet pa punë, kam dy kalamaj për të rritur, kam hallet e mia.

AGIM BINAJ: Sipas deklarimeve të Drejtorit etj etj. (Lexon artikullin në gazetë)

AV. MUHARREM DOKU: Mos bërtit mor burrë.

AGIM BINAJ: …(Vazhdon lexon gazetën)

AV. MUHARREM DOKU: Çfarë pune kam unë aty? Kishte dokumente aty…

AGIM BINAJ: Çfarë dokumentesh?

AV. MUHARREM DOKU: Ata kanë dokumentet.

AGIM BINAJ: Zotëri, ti je avokat.

AV. MUHARREM DOKU: O zotëri, ata më bënë pyetje dhe unë ju përgjigja.

AGIM BINAJ: Si ju përgjigje ti?

AV. MUHARREM DOKU: Ata kishin dokumente përballë.

AGIM BINAJ: Cili është dokumenti?

AV. MUHARREM DOKU: Aaa! S’di gjë unë, ato i kanë ata. Bile, bile nëse do ta dish, ata kanë shumë dokumente për djalin tënd.

AGIM BINAJ: Për djalin tim?

AV. MUHARREM DOKU: Po ta jap si version.

AGIM BINAJ: Dëgjo o i dashur, o i dashur.

AV. MUHARREM DOKU: Në rregull, unë po të them.

AGIM BINAJ: Unë flas çfarë është shkruar këtu.

AV. MUHARREM DOKU: E di.

AGIM BINAJ: Më dëgjo.

AV. MUHARREM DOKU: Edhe njëherë, po të them.

AGIM BINAJ: Të lutem!

AV. MUHARREM DOKU: Ata më nxorën dokumentet përpara.

AGIM BINAJ: Më dëgjo.

AV. MUHARREM DOKU: A ti them tamam?”

Kjo është vetëm një pjesë e bisedës, për të kuptuar të gjithë kontekstin dhe qellimin e takimit nga Agim Binaj. Për “Vetting”, avokati Muharrem Doku tregon se pas intervistës që dha për emisionin, ai është kontaktuar nga babai i drejtorit të përgjithshëm të tatimeve aktual, Agim Binaj.

“Më ka kontaktuar nëpërmjet telefonit, kemi lënë një takim. Në takim, në një bar kafe, kemi biseduar për intervistën që kemi dhënë. Ai zotëria kishte lexuar gazetën panorama, ku aty përshkruhej i gjithë emisioni vetting dhe më akuzonte mua sikur unë kam përmendur emrin e atij dhe djalit të tij, që është drejtori i përgjithshëm i tatimeve. Ndërkohë unë i kam thënë që unë kam dhënë intervistë, por kam dhënë intervistë në mënyrë parimore, edhe duke përmendur vetëm ligjin, nuk kam përmendur asnjë emër.

Pra, i bie që skam përmendur as djalin e tij, por as emrin e tij si babai i titullarit. Ai më akuzonte që e kam përmendur.

Si fillim, takimi shkoi i qetë, por diku andej nga fundi ai u nxeh dhe në një formë kërcënimi, më tha “ti do thyesh kokën”, tha për “Vetting” ish drejtori i auditit te tatimet, Muharrem Doku.
Sipas avokatit Doku, profesori Binaj nuk do të vinte në takim vetëm sepse ishte përmendur emri i vetë atij, por për të birin, kryetatimorin Binaj.

“Ai erdhi siç u kuptua edhe nga biseda, për cështjen e djalit të tij sepse cënohesh edhe djali i tij, por nëpërmjet tij cënohesh kompania ose firma e auditimit që zotëria ka”, u shpreh avokati Doku.

Denoncimi i fakteve nga redaksia, i mbështetur me një analizë të ftohtë nga ekspertët e ligjit, ish drejtues të Administratës Tatimore nuk qenka pritur mirë nga Drejtori i Tatimeve i cili duket sikur e ka dërguar babain për t’iu hakërryer njerëzve që guxojnë të thonë të vërtetën.

Agim Binaj do të kontaktonte ekspertët, duke përdorur forma presioni, për avokatët që thjesht konfirmuan shkeljet e gjetura nga “Vetting”.

Bisedë e shkëputur nga kamera e fshehtë 2, takim midis babait të kryetatimorit Binaj, Agim Binaj dhe avokatit Muharrem Doku.

Agim Binaj: Muharrem, unë jam durrsak i vjetër dhe kam jetuar në Durrës.

Avokat MUHARREM DOKU: Po shumë mirë, s’ka problem. Ti më the jam durrsak i vjetër…

AGIM BINAJ: Po durrsak, por unë kam ikur jetoj në Tiranë, kam ikur që në ’77. Tani Durrësi ka ndryshuar si nata me ditën. Si ke qenë ti, me punë me shëndet?

AV. MUHARREM DOKU: Mirë, pa punë!

AGIM BINAJ: Si pa punë?

AV. MUHARREM DOKU: Pa punë.

AGIM BINAJ: Si pa punë?! Ti je gjithë ky avokat mo.

AV. MUHARREM DOKU: Avokat po, por pa punë.

AGIM BINAJ: Punë ka sa të duash për atë që është i zoti.

AV. MUHARREM DOKU: Kam punuar me Tatimet.

AGIM BINAJ: Unë kam 30 vjet profesion.

AV. MUHARREM DOKU: Po dakord, mo dakord.

AGIM BINAJ: Unë jam “rrahur” me tatimorët.

AV. MUHARREM DOKU: Po unë kam 2 vjet që më hoqën nga puna, nga tatimet

AGIM BINAJ: Po kush të hoqi ty?

AV. MUHARREM DOKU: Ceno Klosi.

AGIM BINAJ: Ceno Klosi, por jo djali im, jo i imi.

AV. MUHARREM DOKU: Po kush e ka përmend djalin tënd?

AGIM BINAJ: Po e ke përmend.

AV. MUHARREM DOKU: Unë s’e kam përmend, ma gjej. Ma gjej një moment që unë e kam përmend.

AGIM BINAJ: Po mirë o hajde, ç’ke do ulemi. Ne jemi njerëz të arsyeshëm.

AV. MUHARREM DOKU: Ma gjej një moment që e kam përmendur.

AGIM BINAJ: Ore kam këtu gazetën.

AV. MUHARREM DOKU: Nxirre!

AGIM BINAJ: Do ta jap. Dëgjo, dëgjo mos u keqkupto. Unë nuk kam ardhur të grindem me ty. Dëgjo, figurën time nuk e ruan as ti, asnjeri, e ruan vetëm vetja ime. Unë kam 30 vjet, e që ta dish kam qenë në ushtri e. Jam i rrahur me vaj e me uthull.”

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb