Pa u mbyllur ende problematika e shembjes masive të rrugës Qukës-Qafë Plloçë në dalje të tunelit, një tjetër segment i aksit nacional i inauguruar në muajin shtator, ka pësuar dëmtime të shumta.
Një pjesë e trotuarit pranë fshatit Gështenjas në aksin Pogradec-Qafë Plloçë është shembur plotësisht. Bashkë me rrëshqitjen e trotuarit raportohet se janë dëmtuar edhe rrjetet nëntokësore, ndërsa rrezikohet edhe karrexhata e rrugës.
Ndonëse kalon mes zonave të banuara, ky aks prej muajsh është pa ndriçim, duke rrezikuar seriozisht jetën e këmbësorëve. Sipas të dhënave, rikonstruksioni i rrugës, zgjerimi i korsive, vendosja e trafikndarësve, trotuareve dhe sistemi i ndriçimit përfunduan si investim në shtator të vitit 2018.
Aksi Qukës-Qafë Pllocë kushtoi rreth 260 milionë euro dhe përfundoi pas 14 vitesh, por mjaftuan vetëm dy muaj përdorim që rruga të dalë jashtë funksioni. Shembjet masive tregojnë se cilësia e punimeve është mjaft e dobët dhe në terren kanë munguar studimet e mirëfillta gjeologjike mbi qëndrueshmërinë e tokës.
Shembjet e përsëritura ngrenë dyshime të forta për mënyrën e projektimit të rrugës, për mbikëqyrjen dhe cilësinë e ndërtimit. Rruga që u trumbetua si një investim strategjik që do të lidhte Perëndimin me Lindjen po kthehet në shembull të keqmenaxhimit të fondeve publike për ndërtimin e saj.
Për tenderat e zhvilluara për këtë segment, SPAK po heton ish-zv/kryeministren Belinda Balluku.
