Prokurori Klodian Braho zgjidhet kryetar i SPAK me 7 vota të anëtarëve të KLP, pas një seance maratonë dëgjesash në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, e cila u monitorua gjerësisht nga diplomatët e huaj dhe media.

Kandidati tjetër Adnan Xholi mori 3 vota. 1 votë shkoi për Elvin Gokajn. Ndërsa kandidatja e vetme grua, prokurorja Doloreza Musabelliu nuk mori asnjë votë.

Klodian Braho do të ketë një mandat 3-vjeçar si drejtues i SPAK pa të drejtë rizgjedhje, duke pasuar në këtë detyrë Altin Dumanin.

Braho do të marrë pikërisht detyrën nga Dumani në 19 dhjetor për të nisur më pas zyrtarisht ushtrimin e funksionit si drejtues i Prokurorisë së Posaçme.

Votimi në KLP

Klodian Braho – 7 vota

Adnan Xholi – 3 vota

Elvin Gokaj – 1 votë

Doloreza Musabelliu – Asnjë votë

***

Seanca në KLP zgjati 6 orë, ndërsa të katër kandidatët shpalosën platformat e tyre për drejtimin e SPAK.

Gjatë fjalës së tij përpara anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Braho shpalli si prioritet të punës së tij konsolidimin në mënyrë të pakthyeshme të Prokurorisë së Posaçme.

“Sfida më e madhe është që institucioni i SPAK të maturohet dhe të kalojë atë pikën e pakthyeshme. Mos të ketë më rëndësi se kush shkon prokuror apo zëvendësues, por të ketë standarde,” tha Braho.

Klodian Braho është drejtuesi i tretë i Prokurorisë së Posaçme që prej themelimit, duke pasuar në këtë detyrë prokurorët Arben Kraja dhe Altin Dumani.

Kush është Klodian Braho
Klodian Braho, 43 vjeç, ka përfunduar studimet në Fakultetin e Drejtësisë në vitin 2004 dhe Shkollën e Magjistraturës në vitin 2008. Ai ka punuar në Prokuroritë e Beratit dhe Vlorës, përpara se të emërohej prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Braho është prokuror i SPAK prej vitit 2019.

Ka pasur këto detyra:
14.11.2007-2012/ Prokuror pranë Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat.
2012-2015/ Prokuror pranë Prokurorisë së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë.
2014-2015/ Zv.drejtues i Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë.
2015-19.12.2019/ Prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë.
Nga 19 dhjetori 2019 dhe aktualisht është prokuror pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb