Ukraina po përjeton krizën e saj më të rëndë energjetike që nga viti 2022, si pasojë e sulmeve gjithnjë e më intensive ruse ndaj infrastrukturës energjetike të vendit. Në dimrin e katërt të luftës, ndërprerjet e energjisë elektrike, ngrohjes dhe ujit janë bërë më të gjata dhe më të shpeshta në shumë rajone.

Në qytetin portual të Odesës, banorë të shumtë kanë mbetur për ditë të tëra pa energji elektrike. Oleksandra Mazur, 23 vjeçe, tha se për katër ditë rresht këtë muaj lagjja e saj mbeti pa energji, duke ndërprerë edhe furnizimin me ujë dhe ngrohje. “Është shumë më keq se vitin e kaluar. Nuk e dimë si do të jenë Krishtlindjet apo Viti i Ri”, tha ajo për Wall Street Journal.

Sipas autoriteteve ukrainase, këtë vit Rusia ka sulmuar rrjetin energjetik në një shkallë të paparë më parë. Ndërsa dimrin e kaluar një sulm i madh përfshinte rreth 100 dronë dhe raketa, tani sulmet arrijnë deri në 500 njësi njëherësh. Vetëm gjatë muajit nëntor, Rusia lëshoi mbi 5,000 raketa dhe dronë me rreze të gjatë veprimi, shumë prej tyre të drejtuara ndaj infrastrukturës energjetike.

“Ukraina po përballet me një krizë energjetike të paprecedentë”, deklaroi Maxim Timchenko, drejtori ekzekutiv i kompanisë më të madhe private të energjisë në vend, DTEK. “Kam frikë se ky do të jetë dimri më i vështirë që nga fillimi i pushtimit.”. Sulmet e vazhdueshme kanë dëmtuar rëndë kapacitetin prodhues të energjisë. Rusia ka marrë kontrollin e një centrali bërthamor dhe disa termocentraleve me qymyr, ndërsa shumë hidrocentrale dhe termocentrale të tjera janë dëmtuar ose shkatërruar. Presidenti Volodymyr Zelensky ka deklaruar se nuk ka asnjë objekt energjetik në Ukrainë që të mos jetë prekur nga sulmet.

Në Kiev, ndërprerjet e energjisë zgjasin shpesh mbi 12 orë në ditë në disa zona, ndërsa në rajonet pranë vijës së frontit situata është edhe më e rëndë. Megjithatë, Odessa konsiderohet një nga qytetet më të goditura, për shkak se prodhon shumë pak energji dhe varet nga furnizimi nga pjesë të tjera të vendit. Ndikimi është ndjerë edhe në ekonomi. Në portin e Odesës, disa ngarkesa po dëmtohen pasi mungesa e energjisë pengon shkarkimin e kontejnerëve nga anijet. Ndërkohë, mijëra familje mbështeten te gjeneratorët për nevojat bazë.

Autoritetet ukrainase thonë se Rusia po synon gjithnjë e më shumë edhe nënstacionet e shpërndarjes, duke e bërë pothuajse të pamundur mbrojtjen e plotë të rrjetit energjetik. Pavarësisht vështirësive, shumë qytetarë shprehen se ndërprerjet nuk do të thyejnë rezistencën e tyre dhe se përpjekjet për të demoralizuar popullsinë nuk do të kenë sukses.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb