Detaje të reja janë mësuar në lidhje me plagosjen e ndodhur pak më parë në qytetin e Kavajës.
Biznesmeni Artur Ligeja u plagos me thikë nga shtetasi Eri Velecia, i cili më pas edhe është ndaluar nga policia.
Mësohet se autori ka hyrë në biznesin në pronësi të të plagosurit dhe I ka kërkuar këtij të fundit para.
Ligeja ka refuzuar t’i japë, dhe autori për pasojë e ka qëlluar me thikë.
Eri Velencia njihet dhe si përdorues i lëndëve narkotike, ndërsa policia ndodhet në vendngjarje.
Kavajë/Informacion paraprak
Rreth orës 10:00, në qytetin e Kavajës, në vendin e quajtur “Agjensia”, në ambientet e një biznesi privat, dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta, shtetasi E. V., 42 vjeç, ka goditur me mjet prerës në dorë shtetasin A. L., 52 vjeç, i cili ka pësuar një dëmtim të lehtë.
Më pas, autori ka dëmtuar xhamat e biznesit në pronësi të shtetasit A. L., si dhe xhamat e një biznesi tjetër aty pranë.
Nga veprimet e para hetimore dyshohet se autori është përdorues i lëndëve narkotike dhe ka probleme të shëndetit mendor.
Ai është shoqëruar në ambientet e Komisariatit për veprime të mëtejshme procedurale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme.
