Nicolas Maduro pritet të paraqitet para gjykatës së Nju Jorkut. Bëhet fjalë për një moment historik dhe vendimtar për të ardhmen e ish-presidentit të Venezuelës, pasi shënon fillimin e gjyqit dhe qëndrimin që ai dhe gruaja e tij do të mbajnë, në një kohë kur në vend vazhdojnë fermentimet politike për ditën pasuese. Duke deklaruar se çështja kundër Maduros është, ligjërisht, “e pamundur të hidhet poshtë”, presidenti amerikan Donald Trump ul tonin për herë të parë, duke folur për “bashkëpunim”, ndërsa presidentja e re dhe e përkohshme e Venezuelës, Delcy Rodriguez, shfaq një qasje më pajtuese. Megjithatë, Trump i kërkon asaj “akses të plotë”.
Ndërkohë, përgatitjet për masat e sigurisë, të cilësuara si drakoniane, për rrugën prej vetëm 9 miljesh, rreth 14.4 kilometra, nga Qendra e Paraburgimit Metropolitan deri në gjykatën e Manhattanit, ku do të udhëtojë Maduro, janë të pashembullta. Meqenëse prania e të akuzuarit është e detyrueshme në Nju Jork, procedura që do të ndiqet nuk ndryshon shumë nga ajo që zbatohet për çdo të pandehur tjetër në sistemin penal amerikan. Gjykatësi Alvin Hellerstein, 92 vjeç, i emëruar nga ish-presidenti Bill Clinton dhe që e ka trajtuar çështjen e Maduros për më shumë se dhjetë vjet, do të lexojë zyrtarisht akuzat ndaj Maduros dhe gruas së tij dhe më pas do ta pyesë nëse pranon fajësinë apo deklarohet i pafajshëm. Zakonisht, të pandehurit që kërkojnë të fitojnë kohë deklarohen të pafajshëm për të vonuar procesin, ndërsa ata që synojnë marrëveshje ose dënime më të lehta pranojnë fajësinë.
Në rastin e Maduros, ky moment do të jetë vendimtar, pasi do të zbulojë për herë të parë strategjinë që ai dhe bashkëshortja e tij, Celia Flores, do të ndjekin në gjyq. Sipas Prokurores së Përgjithshme të SHBA-së, Pam Bondi, çifti përballet me akuza për komplot për narkoterrorizëm, komplot për importimin e kokainës, posedim të armëve automatike dhe pajisjeve shkatërruese, si dhe komplot për përdorimin e tyre kundër Shteteve të Bashkuara. Disa nga këto akuza, përfshirë terrorizmin, konsiderohen krime federale që, në Distriktin Jugor të Nju Jorkut, parashikojnë edhe dënimin me vdekje. Maduro ka të drejtë të heshtë ose të deklarojë se do të dëshmojë në një fazë të mëvonshme të procesit. Megjithatë, pritet që ai të deklarohet i pafajshëm, duke ndërtuar argumentin se nuk është arrestuar, por është rrëmbyer, dhe se me këtë veprim janë shkelur ligji ndërkombëtar dhe të drejtat e tij dhe të bashkëshortes së tij. Ky argument, megjithatë, përballet me një precedent të rëndë, atë të ish-diktatorit ushtarak të Panamasë, Manuel Noriega, i cili rreth 30 vjet më parë u arrestua dhe u gjykua në SHBA, pa arritur sukses me të njëjtën linjë mbrojtjeje.
Zyrtarë amerikanë, përfshirë senatorin Marco Rubio, kanë theksuar se ky argument nuk do të jetë i pranueshëm për Maduron. Rubio ka deklaruar publikisht se Maduro nuk njihet si president i zgjedhur ligjërisht i Venezuelës, duke shtuar se administratat Trump dhe Biden, si dhe vendet evropiane, nuk e kanë njohur kurrë atë si udhëheqës legjitim. Sipas këtij këndvështrimi, Maduro nuk është rrëmbyer, por është arrestuar. Gjyqi pritet të zhvillohet në Manhattan, me dëshirën e qeverisë amerikane për një proces të shpejtë, megjithëse vendimi përfundimtar mund të vonojë deri në dy vjet. Ndërkohë, ndërsa Delcy Rodriguez merr detyrën si presidente e përkohshme e Venezuelës, Donald Trump ka lëshuar kërcënime të reja ndaj saj, duke deklaruar se ajo mund të ketë një fat edhe më të keq se Maduro. “Ne jemi në krye”, u shpreh Trump, duke shtuar megjithatë se Rodriguez po tregon gatishmëri për bashkëpunim.
Nga ana e saj, Rodriguez ka ndryshuar ndjeshëm tonin, duke ftuar Shtetet e Bashkuara në një program bashkëpunimi. Në një deklaratë në rrjetet sociale, ajo theksoi se programi synon zhvillim të përbashkët brenda kuadrit të së drejtës ndërkombëtare dhe forcimin e bashkëjetesës së qëndrueshme. Ajo shtoi se Venezuela do të prioritizojë marrëdhënie ndërkombëtare të balancuara dhe respektuese me SHBA-në dhe rajonin. “Populli ynë dhe rajoni ynë meritojnë paqe dhe dialog, jo luftë. Ky ka qenë gjithmonë mesazhi i presidentit Nicolas Maduro dhe i gjithë Venezuelës”, deklaroi Rodriguez, duke shtuar se vendi i saj ka të drejtë për paqe, zhvillim, sovranitet dhe një të ardhme.
