Banorët e lagjes “Manaj” në Gjirokastër kërkojnë ndërhyrje urgjente për rehabilitimin e përroit të Gjokanës, i cili po përbën një rrezik serioz për banesat e zonës.
Sipas banorëve, prej vitesh firmat private kanë hedhur inerte pa asnjë kriter në shtratin e përroit, duke bllokuar grykëderdhjen dhe duke ndryshuar rrjedhën natyrore të ujërave drejt zonave të banuara. Si pasojë, gjatë reshjeve, përroi del nga shtrati dhe shkakton rrëshqitje toke që po gërryejnë terrenin përreth shtëpive, duke i vënë ato çdo vit e më shumë në rrezik.
Familjet në këtë lagje kanë ndërtuar banesat e tyre prej më shumë se 30 vitesh, ndërsa problemet me përroin janë shtuar ndjeshëm gjatë dhjetëvjeçarit të fundit. Ata thonë se kanë bërë ankesa të vazhdueshme pranë institucioneve përgjegjëse, por pa asnjë zgjidhje konkrete. Banorët kërkojnë pastrimin e menjëhershëm të shtratit të përroit, rehabilitimin e grykëderdhjes dhe ndalimin e hedhjes së inerteve, për të shmangur një situatë që, sipas tyre, mund të përfundojë me dëme të rënda në banesa dhe rrezik për jetën.
