Detaje të reja po dalin në dritë lidhur me ngjarjen tragjike që tronditi opinionin publik, vrasjen e Rob Reiner dhe bashkëshortes së tij, Michelle Reiner. Sipas një raportimi të TMZ, që citon burime me njohuri të drejtpërdrejta për çështjen, gjendja mendore e djalit të tyre, Nick Reiner, i akuzuar për vrasjen e prindërve, u përkeqësua ndjeshëm pas një ndryshimi në trajtimin e tij mjekësor, rreth një muaj para krimit.

TMZ, në dokumentarin e saj “Vrasjet e Reiner” Çfarë ndodhi vërtet”, përshkruan rrugëtimin e Nick Reiner, duke zbuluar një histori të gjatë të sëmundjeve mendore dhe abuzimit me substanca. Sipas burimeve, rreth vitit 2020 ai u diagnostikua me çrregullim skizoafektiv, një sëmundje mendore serioze që shoqërohet me simptoma si halucinacione, iluzione, episode maniake dhe depresive të rënda.

Raportohet se Nick Reiner kishte reaguar pozitivisht ndaj ilaçeve fillestare, të cilat e kishin stabilizuar për një periudhë kohe. Megjithatë, rreth një muaj para vrasjeve, ai u ankua te mjekët për shtim të konsiderueshëm në peshë, një efekt anësor i njohur i disa medikamenteve psikiatrike. Si reagim, mjekët vendosën të ndryshonin terapinë, duke zëvendësuar ilaçet që deri atëherë e kishin mbajtur të qëndrueshëm.

Sipas TMZ, ky ndryshim në trajtim dyshohet se kontribuoi drejtpërdrejt në përkeqësimin e gjendjes së tij mendore, duke e çuar në një situatë gjithnjë e më të paqëndrueshme dhe të rrezikshme. Burimet pohojnë se Rob dhe Michelle Reiner kishin vënë re ndryshime shqetësuese në sjelljen e djalit të tyre, por nuk dinin se si të vepronin për ta ndihmuar.

Po ashtu, sipas raportimit, mjekët nuk aktivizuan një procedurë të përkohshme ndalimi psikiatrik, e cila do të mundësonte stabilizimin e tij për një periudhë deri në 14 ditë. Në momentin e vrasjeve, Nick Reiner, sipas burimeve, ndodhej në një gjendje të plotë rrëmuje mendore.

Në aspektin ligjor, çështja ka hyrë tashmë në proces gjyqësor, ku po shqyrtohet linja e mbrojtjes “jo fajtor për shkak të çmendurisë”. TMZ raporton gjithashtu se Nick Reiner aktualisht nuk konsiderohet kompetent për t’u gjykuar, pasi vazhdon të jetë në gjendje konfuzioni mendor. Edhe pse thuhet se ai pranon se i ka vrarë prindërit e tij, besohet se ai mendon se ndodhet në burg si pasojë e një komploti kundër tij.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: