“Mallkimi” i numrit 9-të përndjek edhe Niclas Fullkrug. Sulmuesi gjerman guxoi duke pranuar këtë sfidë, të vishte këtë fanellë, por detyrohet të “parkojë” menjëherë në infermieri si pasojë e një dëmtimi. I transferuar në Milano në fund të dhjetorit, në formë huazimi nga West Ham, Fullkrug ka thyer gishtin e njërës këmbë. Sipas analizave paraprake, Fullkrug do të qëndrojë jashtë fushës së lojës për të paktën disa javë. Në mënyrë, Allegri duhet të bëjë edhe një herë llogaritë nga e para, pasi trajneri i “djallit” po mendonte të ndryshonte skemën me ardhmen e Fullkrug.

Lajmi i mirë në këtë kohë të vështirë për Milan, ku në dy ndeshjet e fundit në Serie A ka lënë 4 pikë, është zhbllokimi i Nkunku. Në fakt, Milan po mendonte të shiste francezin, për të cilin kishte interesim të fortë nga Fenerbahce, por ky dëmtim i Fullkrug frenon këto negociata, tani sipas të gjithë gjasave, Nkunku do të qëndrojë në Milano të paktën deri në fund të këtij sezoni.

Një tjetër temë e nxehtë në Milano është edhe e ardhmja e Luca Modric. Mesfushorit kroat i përfundon kontrata në fund të këtij sezoni, por një klauzolë e përfshirë i lejon të rinovojnë edhe për një tjetër sezon. Palët, Modric dhe Milan, janë shumë të kënaqur nga ky bashkëpunim, por mosha e Modric nuk i lejon të shohin më larg se sa ky sezon. Do të jetë vetë lojtari që do të ketë fjalën i fundit, por ky vendim do të merret vetëm pas përfundimit të Botërorit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb