Muzeu i famshëm i Luvrit në Paris u mbyll sot për herë të tretë që nga mesi i dhjetorit, pas rifillimit të grevës nga punonjësit që kërkojnë kushte më të mira pune. Konfirmimi vjen nga muzeu dhe sindikatat për AFP-në.
“Muzeu nuk do të hapet sot”, deklaroi një zëdhënëse e Luvrit. Vendimi erdhi pasi rreth 300 punonjës, të mbledhur në një asamble të përgjithshme gjatë mëngjesit, votuan në favor të vazhdimit të grevës që kishte nisur më 15 dhjetor.
Sipas përfaqësuesve të komitetit ndërsindikal (CFDT, CGT dhe SUD), protesta do të vijojë derisa të adresohen kërkesat e stafit lidhur me kushtet e punës. Mbyllja e Luvrit, një prej muzeve më të vizituar në botë, pritet të ndikojë ndjeshëm si tek vizitorët ashtu edhe tek sektori turistik i kryeqytetit francez.
