Ka nisur protesta e 19 radhazi në Tiranë, ku mijëra qytetarë pasi u mblodhën në sheshin Skënderbej, marshuan drejt parlamentit ku iu zunë pritë deputetëve dhe lëshuan thirrje kundër tyre, më pas u stacionuan te Kryeministria.
Qytetarët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe largimin e qeverisë së tij, ndërsa gjatë tubimit artikulohen kritika edhe kundër opozitës. Një nga sloganet që është bërë pjesë e protestave është “Opozita jemi ne”, duke shprehur refuzimin e protestuesve ndaj partive të vjetra politike dhe kërkesën për një përfaqësim të ri qytetar.
Protestuesit kanë paralajmëruar gjithashtu mesazhe kundër të gjithë klasës politike të vjetër, duke theksuar se përgjegjësia për situatën aktuale nuk i atribuohet vetëm mazhorancës, por edhe opozitës.
Për shkak të temperaturave të larta që kanë përfshirë vendin, organizatorët kanë vendosur që protestat të nisin në orën 19:00, në mënyrë që qytetarët të mund të marrin pjesë në kushte më të favorshme.
Edhe protesta e zhvilluar një ditë më parë u karakterizua nga pjesëmarrje e lartë, me një numër të madh qytetarësh që mbushën sheshin dhe marshuan në qendër të Tiranës, duke vijuar serinë e tubimeve të përditshme kundër qeverisë dhe establishmentit politik.
