Beogradi zyrtar ka shprehur shqetësim pas vendimit të Shteteve të Bashkuara për të ndaluar importin e bakrit dhe produkteve të bakrit të prodhuara në Serbi nga kompania kineze Zijin Copper. Dogana dhe Mbrojtja Kufitare e SHBA-së (CBP) ka njoftuar se ka vendosur ngrirjen e dërgesave, pas dyshimeve për përdorim të punës së detyruar në procesin e prodhimit në minierat e bakrit në Bor, në Serbinë lindore, ku operon kompania.

Sipas autoriteteve amerikane, hetimet e kryera bazohen në dëshmi punëtorësh, materiale fotografike dhe video, si dhe raporte të organizatave joqeveritare dhe studime akademike. Në to pretendohet se punëtorët në Zijin Serbia janë ekspozuar ndaj disa treguesve të punës së detyruar, përfshirë kufizim lëvizjeje, mbajtje pagash, orë të zgjatura pune dhe presion e kërcënime.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, e ka cilësuar vendimin si të dëmshëm për ekonominë serbe, duke deklaruar se qeveria do të mbështesë kompaninë për të përballuar pasojat në eksport.

“Është e qartë se në një konflikt gjeopolitik mes fuqive të mëdha, SHBA dhe Kinës, edhe ne po paguajmë çmimin”, u shpreh Vuçiç, duke sugjeruar se vendimi ka edhe prapavijë gjeopolitike.

Nga ana e saj, kompania kineze Zijin Copper ka hedhur poshtë akuzat, duke deklaruar se respekton ligjet në fuqi dhe standardet ndërkombëtare të punës dhe të drejtave të njeriut. Kjo nuk është hera e parë që një kompani kineze me aktivitet në Serbi përballet me masa të ngjashme nga SHBA. Më herët, autoritetet amerikane kanë ndaluar edhe importin e produkteve të një kompanie tjetër kineze në Serbi, me të njëjtën bazë akuzash për punë të detyruar.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: