Një denoncim ka mbërritur pranë redaksisë së BalkanWeb lidhur me produktet që tregtohen në dyqanin “Rossmann & Lala”, ku klientët ankohen për mospërputhje mes çmimit dhe sasisë reale të produkteve brenda ambalazhit të tyre.

Një qytetare tregon me video se shishja e detergjentit të rrobave që kishte blerë, rezulton të jetë më pak se gjysma e mbushur, pavarësisht se është shitur si produkt i ri dhe i mbyllur.

Klientja shprehet se është ndier e mashtruar, pasi ka paguar një çmim relativisht të lartë për një sasi thuajse të papërfillshme.

Në videon e filmuar nga klientja duket qartë se produkti është pothuajse i zbrazur, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi kontrollin e cilësisë dhe respektimin e konsumatorit.

Ky rast shton shqetësimet për transparencën ndaj klientëve dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre, ndërsa pritet një reagim nga “Rossmann & Lala” apo nga institucionet përgjegjëse për mbikëqyrjen e tregut.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb